Kuvendi i Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në funksion të arritjes së konsensusit për fazën finale të dialogut.
Derisa partitë në pushtet janë pajtuar që në mungesë të konsensusit të gjerë ky proces t’i besohet presidentit Hashim Thaçi, opozita është duke kundërshtuar rolin prijës të presidentit për shkak të trashëgimisë së tij në dialog, shkruan sot Koha Ditore.
Por ka mungesë uniteti edhe brenda kampit opozitar rreth dialogut, edhe pse të gjithë pajtohen që Kuvendi duhet ta thotë fjalën kryesore në këtë proces.
Referuar praktikës së deritashme, njohës të rrethanave thonë se do të jetë vështirë arritja e një pajtimi para nënshkrimit të marrëveshjes eventuale mes Kosovës dhe Serbisë, rrjedhimisht edhe vendosja e vijave të kuqe.
“Asnjëherë në Kosovë nuk ka pasur konsensus të plotë në cilëndo fazë që ka nisur dialogu, por ka qenë votimi në Kuvend përmes të cilit më pas janë miratuar marrëveshjet. Pikërisht në mungesë të këtij konsensusi i kemi këto probleme. S’kemi platformë dhe dokument bazë, prandaj ka mungesë konsensusi”, ka thënë analisti Ramush Tahiri.