Opozita në Fushë-Kosovë e cilëson keqmenaxhim mosshpenzimin e 2.5 milionë eurove

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Shumë e madhe e mjeteve i kanë mbetur të pashpenzuara ekzekutivit të Fushë-Kosovës. Janë 2.5 milionë euro që kjo komunë i ka bartur në këtë vit. Ato kanë mbetur pa u shpenzuar në dy vjetët e fundit, por nuk është specifikuar se sa janë nga 2017-ta e sa nga 2018-ta.

Në ditën kur është bërë kjo bartje, këshilltarët opozitarë të Fushë-Kosovës e kanë quajtur shqetësuese këtë “tepricë” të mjeteve. Shefi i Grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Durim Hajra, ka thënë se ky është edhe tregues i keqplanifikimit të parasë publike, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Sa i përket propozimit për bartjen e të hyrave vetjake të vitit 2018 në vitin 2019, ne mendojmë që një praktikë e tillë është jo e mirë dhe është tregues i keqplanifikimit dhe keqmenaxhimit të parasë publike. Një fenomen i tillë i bartjes së të hyrave vetjake po përsëritet nga viti në vit dhe siç po duket është kthyer në praktikë”, është shprehur Durim Hajra.

Sipas tij, për bartjen e të hyrave vetjake, Ministria e Financave ua ka tërhequr vërejtjen disa herë nivelit lokal dhe e ka cilësuar si keqmenaxhim të parasë publike nga ato komuna që bartin të hyrat.

“Bartje këtë vit është 2.525.861,87€, e që i bie 87 për qind e të hyrave vetjake të vitit 2018 ose 24 për qind e buxhetit. Nga kjo bartje, 449.865,81€ janë nga projektet për asfaltime të rrugëve, e që në pothuajse në çdo buxhet ju kemi kritikuar se shuma të mëdha po buxhetohen për asfaltime të rrugëve, gjë që po vërtetohet edhe me këtë bartje. 160.000€ janë mallra dhe shërbime, ku edhe për këtë kategori kemi dhënë vërejtje”, ka thënë këshilltari i VV-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme