Opozita në Tiranë e priti me shqetësim raportin e fundit të departamentit të shtetit. Kryetari i partisë demokratike, Lulzim Basha, tha se raporti është pasqyrë e realitetit të trishtë të Shqipërisë nga qeveria amerikane.
“Shqetësimet kryesore përmblidhen në katër apo pesë konsiderata; zgjedhje të blera, qeverisje e korruptuar në çdo degë të saj, drejtësi e kapur, media të kapura dhe nën presion dhe sulm qeveritar. Arrestime, mbajtje të paligjshme të qytetarëve nga policia, kushte dhe trajtime çnjerëzore në institucionet e ndalimit, korrupsion në çdo nivel të policisë, dhunim të së drejtës së pronës, bllokim të sistemit të drejtësisë, në veçanti të emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, emërimet politike në sistemin e drejtësisë, që është një shqetësim i përsëritur i opozitës, mungesa e lirisë së medias, dënimi pa ekuivok që i bën gazetarëve dhe trajtimit jo të mirë të tyre”, tha Basha.
Ai tha se raporti i departamentit të shtetit konfirmon shqetësimet dhe kauzat kryesore që opozita dhe faktorë të tjerë, qeveri të tjera europiane kanë ngritur mbi gjendjen ku ndodhet Shqipëria sot, duke renditur mes shqetësimeve të shumta edhe rrëmbimi i kuksianëve nga policia në mes të natës nga shtëpitë e tyre pas protestës kundër taksës së Rrugës së Kombit.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili tha se “SHBA dha alarmin se kryeministri po fundos vendin” dhe se “ky raport nxjerr në pah kalbësirën shtetërore që ka ndërtuar Rama”.
Sipas tij, reforma në drejtësi është shkatërruar nga vet kryeministri dhe tashmë e garantoi që ai dhe ministrat e tij të mos hyjnë në burg.
“DASH tregon qartë se sa skandaloze është kapja e medias dhe autocensura e saj. Lindja e ertv si televizion i ngjashëm i Sadam Husenit dhe nënshtrimi i turpshëm i televizioneve, që ritransmetojnë atë janë produkti i kryeministrit hajdut dhe manipulator i lirisë së medias” , tha Vasili.
“DASH tregon se zgjedhjet janë shkatërruar nga blerja e votës. Korrupsioni ka pllakosur qeverisjen pasi frymezuesi më i madh i korrupsionit është vet kryeministri. Reforma në drejtësi është shkatërruar dhe tashmë drejtësia e kryeministrit garanton që ai dhe ministrat të mos hyjnë në burg, por njerëzit e thjeshtë e pa pushtet të burgosen pa faj si qytetarët kuksianë. Ky kryeministër i mbërthyer nga droga dhe krimi dhe i shantazhuar prej tyre haptas në parlament, media e kudo është thjesht një peng i tyre dhe rrënues i vendit”, tha Vasili.
Departamenti i Shtetit theksoi në raport se problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut në vitin 2017 në Shqipëri, ishin “kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”.