Opozitarja serbe kerkon pergjegjesi per ngritjen e gatishmerise luftarake para protestës se 15 marsit ne Beograd?

Prishtinë | 25 Mar 2025 | 20:00 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Partisë për Liri dhe Drejtësi të Serbisë, Marinika Tepiq, kërkoi sot përgjigje nëse Policia Ushtarake dhe Brigada Speciale ishin në gatishmëri të shtuar luftarake dhe të armatosur me municion të vërtetë gjatë protestave të 15 marsit dhe çfarë “aktivitetesh të rregullta” po zhvillonte Ushtria në të njëjtën javë me protestën në Beograd.

Tepiq në një deklaratë me shkrim vlerësoi se “profesionistët ushtarakë janë të turpëruar nga performanca e gjeneralit Zharko Neshiq të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake” për shkak të fshehjes së fakteve në komisionin parlamentar për kontrollin e shërbimeve të sigurisë, prandaj ajo beson se qytetarët meritojnë përgjigje në pyetjet për dërgimin e tankeve në Beograd.

Ajo kërkoi përgjigje nëse Neshiq ishte menaxher i restorantit ushtarak në Prishtinë në kazermën “Heronjtë e Kosovës” dhe nëse ishte e vërtetë që ai punonte si kamarier në restorante në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Graçanicë gjatë fundjavave.

“Cilat janë detyrat e rregullta dhe të planifikuara që përfshijnë lëvizjen e personelit dhe pajisjeve në periudhën 12-14 mars? Sa tanke dhe automjete luftarake të Ushtrisë Serbe u sollën në Beograd në javën para protestës?”

Sipas saj, pyetja kryesore është se kush e përgatiti ushtrinë për luftë kundër popullit.

Tepiqi kërkoi gjithashtu një përgjigje nëse Garda e Ushtrisë Serbe ishte në kushte kazerme.

Ajo gjithashtu pyeti nëse pjesëtarëve të Ushtrisë u paguhen dita dhe përfitime të tjera për pjesëmarrjen në stërvitje, si quhej ushtrimi dhe sa u kushtoi kjo taksapaguesve.

Të ngjashme