Ora e parë e mësimit i kushtohet Ditës së Paqes, nxënësit kureshtarë për të kaluarën e vendit

Prishtinë | 11 Qer 2021 | 09:40 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, i është kushtuar 12 qershorit – Ditës së Paqes, raporton Ekonomia Online.

Fitore Zatriqi mësuese në shkollën “Hasan Prishtina”, tha se Dita e Paqes është e rëndësishme për historinë e Kosovës.

Ajo më tej ka sqaruar se nxënësit janë treguar kureshtar për të kaluarën e vendit.

“Ne kemi qenë një periudhë të gjatë në okupim dhe popull i shtypur dhe kjo ditë është e veçantë për neve sepse jemi liruar ka okupimi. Nxënësve iu është sqaruar historiku i vendit në fazat të cilat ka kaluar ky popull dhe nxënësit janë kureshtar me ditë se si ka kaluar vendi ynë”.

“Fëmijët duhet ta dinë për lirinë që e gëzojnë dhe prindërit e tyre se në çfarë fazash kanë kaluar në mënyrë që ti ndjekin ëndrrat e tyre dhe të kuptojnë për lirinë që gëzojnë”.

Nxënësi Yll Morina tha se për të është e rëndësishme të dijë më shumë dhe ta kujtojë familjen Jashari, që dhanë shumë për Kosovën.

“Unë jam ndjerë shumë keq çka ka ndodhur në vitet 1999 për Kosovën dhe kemi qenë shtet i shtypur dhe për familjen Jashari që ka dhënë maksimumin e tyre për çlirimin dhe që po e gëzojmë këtë liri”.

“Për mu është shumë e rëndësishme sepse kam dëshirë ta kujtojë familjen Jashari edhe kur të rritem”.

Edhe Erta Emini shtoi se Dita e Paqes është dita e çlirimit të Kosovës, duke shtuar se shpreson në një të ardhme më të mirë për vendin, raporton EO.

“Ajo kohë ka qenë shumë e vështirë për popullin. Është e rëndësishme sepse e dimë çka ka kaluar populli ynë dhe shpresojmë për një të ardhme më të mirë”.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA), që në të gjitha shkollat fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, ora e parë e mësimit t’i kushtohet 12 qershorit – Ditës së Paqes.

Për nder të kësaj dite që shënon hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë në të gjitha institucionet edukative arsimore të arsimit parauniversitar do të ketë pushim të hënën, më 14 qershor.

Të ngjashme