ORCA: Dy profesorët që fituan titujt përmes plagjiaturës duhet të shkarkohen

Prishtinë | 22 Qer 2022 | 11:20 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka kërkuar shkarkimin dhe heqjen e titujve akademikë për profesorët Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, pasi Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës vendosi që të dy përmes plagjiaturës kanë fituar titujt, raporton Ekonomia Online.

Sipas Dibran Hoxhës nga ORCA, revista në të cilën profesorët kishin publikuar punimet, ka hequr publikimet. Kjo organizatë nëpërmjet një aksioni simbolik para Fakultetit Filozofik ka kërkuar shkarkimin e dy profesorëve.

Megjithatë, për shkarkim s’ka vendosur Këshilli i Etikës. Më 16 qershor, KE-ja ndëshkoi Dugollin me mohim të përfshirjes në mentorim në ciklin e studimeve master dhe doktoraturë për dy vjet. Masa vlen vetëm për kandidatët e rinj dhe jo për kandidatët, të cilët tanimë janë në mentorim. Kastratit i është mohuar përfshirja në mentorim në të gjitha nivelet e studimit në UP për tri vjet.

“Nesër bëhen 1 vit nga denoncimi i parë publik i ORCA-s për plagjiaturat e dy profesorëve të fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati. Të dy profesorët e kanë shfrytëzuar punimin me përmbajtje të plagjiaturës duke vjedhur nga burime të ndryshme dhe përmes kësaj vjedhjeje janë ngritur në pozita më të larta”, tha Hoxha, raporton EO.

“Revista i është përgjigjur ORCA-s duke konstatuar dhe verifikuar plagjiaturën e punimit të të profesorëve Dugolli e Kastrati. Në përgjigjen e tyre thuhet se titulli do të hiqet menjëherë nga revista dhe se politikat e revistës nuk e lejojnë në asnjë formë plagjiaturën, dhe rrjedhimisht punimi është është larguar nga revista, duke faktuar përtej çdo dyshimi që punimi i profesorëve përmban plagjiaturë”, tha ai.

ORCA kërkon me urgjencë që Këshilli i Fakultetit Filozofik ta heq nga roli i senatorit të këtij fakulteti Bujar Dugollin. “Nuk bën dhe nuk mundet, nja plagjiator të jetë përfaqësues i Fakultetit në Senat, organin që merret me çështje akademike, madje edhe me integritetin akademik”.

“Së dyti, Senati i UP-së si organi më i lartë akademik i institucionit të mos e aprovojë vendimin e Këshillit të Etikës për masat e lehta që i ka propozuar ndaj Dugollit e Kastratit, por t’i përjashtojë të dy nga universiteti siç ndodh në çdo vend të botës kur dikujt i vërtetohet plagjiatura. E pakta që mund të bëjnë tash për tash është heqja e titujve akademikë të fituar përmes plagjiaturës”, ka theksuar Hoxha.

No description available.

Të ngjashme