ORCA i quan “Supermenë” kandidatët e propozuar për avancim në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike

Prishtinë | 19 Kor 2018 | 14:59 | Nga Tirana Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka organizuar aksion protestues për parregullsitë në avancimet akademike në Universitetin e Prishtinës (UP).

Hulumtuesi në këtë organizatë, Gramos Buçinca, tha se ORCA monitoron avancimet akademike në Universitetin e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

“Vitin e kaluar, ORCA në bashkëpunim me mediet dhe shoqërinë civile ka arritur të ndalë 70 raste të avancimeve jomeritore, të cilat ishin rekomanduar për tituj të ndryshëm akademikë”.

“ORCA po ashtu monitoron procesin aktual dhe disa nga kandidatët e këtij procesi kanë bërë punë të jashtëzakonshme. 10 kandidatët e propozuar për avancime nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kanë publikuar 5 deri 19 artikuj në revista shkencore brenda vitit 2017 dhe gjysmës se këtij viti”, ka thënë Buçinca.

“Mesatarja e numrit të publikimeve për kandidatin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për një vit del 5,5 ndërsa sipas disa studimeve kredibile të botuara revista ndërkombëtare, del se në Norvegji në fushën e njëjtë ka 0,96 publikime shkencore në vit për profesor”, sqaroi Buçinca.

Ai shtoi se nga kjo situatë mund të nxirren vetëm dy përfundime, raporton EO.

“E para ose Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i ka tejkaluar pesëfish performancat akademike norvegjeze për sa i përket publikimeve shkencore, ose publikimet shkencore në këtë fakultet nuk janë në revista me cilësi të pranueshme ndërkombëtare”.

“ORCA i bën thirrje Senatit që t’i përmirësojë gabimet e paevitueshme që mund të vijnë nga çdo sistem i përgjithësuar rregullash që mundohet t’i rregullojë çështjet e avancimeve akademike”.

“ORCA të gjitha emrat dhe analizat e detajuara do t’ua drejtojë rektorit, prorektorëve dhe senatorëve siç bën zakonisht para mbledhjeve të Senatit ku votohet për avancime”.

“Me këtë rast eklatant, ditën e nesërme, përmes një letre formale, do të informohet edhe ministri i Arsimit si dhe të gjithë anëtarët e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës”.

Të ngjashme