ORCA: Nevojitet vetting akademik për pastrim të UP-së nga ngacmuesit

Prishtinë | 08 Pri 2024 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka thënë se nevojitet vetting akademik si mjet për pastrimin e Universitetit të Prishtinës nga ngacmuesit.

Nëpërmjet një komunikate për media, ORCA ka thënë se heshtja e universitetit nga shkeljet e pretenduara nga profesori Xhevat Krasniqi, është e frikshme.

“Dëshmitë tronditëse të studenteve dhe studentëve lidhur me trajtimin jonjerëzor të tyre në përditshmërinë e tyre, tregojnë për një ambient të prapambetur akademik. Maltretimi i studentëve dhe sjellja e keqe ndaj tyre po bën që dita ditës Universiteti i Prishtinës, ndonëse më i miri në vend, të ketë më pak studentë, ndërkohë ata po ua mësyjnë kolegjeve private ku trajtimi si klient blerës është pakrahasimisht më i mirë se cilido trajtim në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Kjo organizatë më tej e ka akuzuar Këshillin e Etikës në UP për rrezikim të reputacionit të universitetit.

“Në njërën anë fsheh dhe justifikon ngacmimet seksuale, në anën tjetër merr vendime absurde në mbrojtje të plagjiatorëve dhe kështu ka krijuar një imazh ku UP-ja duket si strehë e sigurt e plagjiatorëve, ngacmuesve dhe shkelësve të tjerë”, ka shtuar ajo.

Të ngjashme