ORCA reagon ndaj rangimit të Universitetit të Prishtinës në Webometrics

Prishtinë | 21 Shk 2019 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

ORCA përmes një njoftimi ka shprehur shqetësimin, sipas tyre, me humbjen e seriozitetit dhe me sharlatanizmin e zyrtarëve të Universitetit të Prishtinës të cilët çdo ditë e më shumë po e shkatërrojnë imazhin e tij.

“Sot UP ka reaguar për rënien në rangimin në Webometrics ku disa javë më parë në mënyrë pompoze u dha lajmi se UP është ngritur në vendin 1471, rreth 1600 vende më lart se vitin e kaluar. Ndërkaq sot, siç duket pas evidentimit të gabimeve të mundshme nga ana e databazës Webometrics, UP ndodhet në vendin 2668 çka e bën joserioze databazën Webometrics dhe UP-në e cila mendon se rritja e cilësisë matet me algoritme robotike”, thuhet në njoftimin e ORCA-s.

Sipas ORCA-s, deklarata e sotme e UP-së cila arsyetohet se kjo ka ndodhur si pasojë e përfshirjes edhe të Universitetit të Mitrovicës, përbën gënjeshtrën e radhës pasi databaza Webometrics asnjëherë nuk e ka llogaritur brenda UP-së universitetin në veri të Mitrovicës.

“Kjo gënjeshtër e paskrupullt tregon edhe njëherë se menaxhmenti aktual nuk e ka ndërmend të merret me problemet brenda por me agjitacion dhe propagandë. Që nga vitit 1999, Serbia nuk ka përgjegjësi për shkatërrimin sistematik të UP-së nga shqiptarët dhe menaxhmentet e papërgjegjshme si menaxhmenti aktual”, thuhet në njoftimin e ORCA-s.

ORCA kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie nga zyrtarët relevant të cilët për javë me radhë po ushtrojnë agjitacion dhe propagandë me qëllim të vënies së publikut në lajthitje.

“Për t’i kthyer në tokë zyrtarët e propagandës dhe agjitacionit brenda UP-së, ORCA thekson se sot në UP mbajnë tituj akademikë 59% të profesorëve që nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë për shkak të mungesës së punimeve shkencore. Po ashtu 33% e profesorëve të UP-së kanë publikuar të paktën një punim në revista të dyshimta”, përfundon njoftimi i ORCA-s.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme