Organizata “Global Shapers” kërkon cilësi në arsim e ritestim për mësimdhënësit

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 11:22 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Global Shapers” ka mbajtur një protestë simbolike për cilësinë në arsim.  Protesta nisi para zyrave të SBASHK-ut, duke vazhduar përgjatë rrugës “Agim Ramadani” e deri para Ministrisë së Arsimit, raporton Ekonomia Online.

Ata kanë shfaqur një baner me të cilën kanë kërkuar cilësi në arsim e testim për mësimdhënësit.

Ismet Krasniqi, njëri nga organizatorët e kësaj proteste, ka thënë se kërkesë tjetër e tyre është Vetting-u në arsim. Ai tha se për 7 Marsin-Ditën e Mësuesit, shumë mësimdhënës i gjen kokulur, pasi sipas tij shumë prej tyre nuk shkruajnë mirë gjuhën shqipe.

“Misioni i SBASHK-ut thotë arsim modern cilësor mirëpo veprat e tyre nuk përputhen me vizionin e tyre aspak. Në vendëse të kërkojnë Vetting në arsim, këta e pengojnë këtë proces duke kërcënuar me greva. Prandaj sot për hire të gjeneratave të ardhshme ne bëjmë thirrje: “profesor testohu”, “profesoreshë testohu”. Sot është dita e 7 marsit që shënohet dita e Mësuesit por kjo ditë shumë mësimdhënës i gjen kokulur para cilësisë në arsim. Sistemi jonë i arsimit ka mësues që nuk shkruajnë mirë gjuhë shqipe”, tha ai.

“SBASHK-u nuk reagon por në të kundërtën drekon me partitë politike. Bile edhe në kohë fushate. Vizioni i tyre nuk është paga. Me rroga të larta nuk vjen cilësia sepse punësimet në Kosovë po i bën partia, e SBASHK-un e ka kap rehatia”.

“Ne rinia e Kosovës, ne populli i Kosovës nuk kemi kohë me i kënaq apetitet e njerëzve të caktuar. Nuk kemi vend tjetër për të jetuar. Ne rinia e Kosovës nuk duam ta lëshojmë Kosovën për asnjë arsye e aq më pak për arsim cilësor. Profesor testohu, profesoreshë testohu, cilësi në arsim”, ka thënë Krasniqi.

Avdul Gashi, organizator i protestës, ka thënë se sot Ministria e Arsimit do duhej t’i publikonte reformën në arsim e jo të ndajë mirënjohje për mësimdhënësit.

Ai ka thënë se nxënësit shëtitën rrugëve në mungesë të programeve për orientim në karrierë.  

“Sot po protestojmë me kërkesën më të pastër për cilësi në arsim, sepse sot nuk është ditë feste, por ditë proteste. Sot kur do të duhej që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të publikojë reformën në arsim, ajo ndan mirënjohje për mësimdhënësit dhe e shënon si festë. Për çka po feston Ministria, cilat premtime i ka realizuar të cilat kanë prodhuar rezultateve që të kemi arsye për festë”.

“Sot le ta ngrisim zërin fuqishëm, reformë ne arsim, reformë në arsim. Pothuajse çdo ditë po na ndodhin ngacmime seksuale, therje e bullizëm sepse nuk kemi psikologë në shkolla. Nxënësit tanë, rinia jonë po shëtitët rrugëve sepse nuk ka programe të orientimit në karrierë. Në teori perfekt në praktikë mosvet”, tha Gashi.

Të ngjashme