Përderisa disa prej shteteve të rajonit përballen me sfida se si t’i menaxhojnë orkestrat e shumta, Kosova ka probleme të tjera. Bullgaria është një prej shteteve të Ballkanit me një zhvillim të madh në fushën e muzikës klasike. Secili qytet i këtij shteti ka orkestër, qoftë ajo profesionale ose jo. Financohen nga shteti dhe komunat përkatëse. Megjithatë pagat nuk janë të larta. Prandaj problemi i tyre është fuzionomi ose reduktimi i tyre. Realiteti në Kosovë është krejt tjetër.
Orkestra e Filarmonisë së Kosovës është e vetmja që ka një program vjetor dhe formacion me profesionistë. Asnjë qytet tjetër i Kosovës nuk ka orkestër përderisa në kryeqytet përveç institucionit më të lartë muzikor në vend, funksionon edhe orkestra joprofesionale, “Rexho Mulliqi”. Një shembull krejt tjetër i sistemit menaxherial dhe funksionimit të orkestrave është Kanadaja.
Shembuj të situatës aktuale në këto tri shtete i kanë dhënë Momchil Georgiev, sekretar i përgjithshëm në shoqatën e të punësuarve të kulturës në Bullgari, Paul Mcewen president i “West Coast Symphony” në Vankuver të Kanadasë dhe Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës. Të tre u mblodhën të enjten në Qendrën Kulturore të BE-së në kuadër të edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” në panelin e diskutimit me temën “Menaxhimi i orkestrave. Përse kemi nevojë për orkestër të financuar nga shteti?”.