“Orvatjet janë të kota, Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet”

Prishtinë | 07 Jan 2018 | 09:12 | Nga

Shfuqizimi i Gjykatës Speciale me anë të ligjit nga Qeveria e Kosovës është një orvatje e kotë dhe nuk ka kurrfarë mekanizmi që mund të zhbëjë atë, pavarësisht deklaratave të Presidentit Thaçi apo kryeministrit Haradinaj, kanë vlerësuar avokatet dhe ekspert të çështjeve juridike.

Sipas tyre, varësisht asaj që pritet të ndodhë, është brengosëse fakti se të zgjedhurit e popullit e kanë vënë interesin e tyre personal para atij kombëtar, duke e quar vendin drejtë një izolimi ndërkombëtarë.

Avokati Arianit Koci, në një prononcim për Indeksonline duke e vlerësuar si të dëmshme iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Speciales, ka thënë se si vend kemi dalë shumë joserioz, dhe të papërgjegjshëm në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

Sipas tij, krejt këto orvatje janë të kota sepse Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet.

“Specialja nuk mund dhe nuk do të shfuqizohet. Për këtë nuk e kam as dilemën më të vogël. Unë kam qenë ndër të parët kundër Gjykatës Speciale, në formën dhe mënyrën se si do të funksionoj. Por, prej momentit kur parlamenti i ynë ia ka dhënë dritën e gjelbër, situata ka ndryshuar: dalim shumë joserioz, dhe të papërgjegjshëm në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Koci, marrëveshjet duhet të respektohen, sepse në fund Gjykata Speciale njëjtë sikur Tribunali i Hagës, do ta konfirmoj se lufta e UÇK-së, ka qenë e pastër.

“Liderët dhe deputetët tanë, tanimë e kanë kuptuar se shfuqizimi eventual i Speciales do ta minoj shtetësinë e Kosovës. Sidoqoftë, Gjykatën Speciale njëjtë sikur Tribunali i Hagës, do ta konfirmoj se lufta e UÇK-së, por edhe lufta e liderëve të saj, ka qenë luftë çlirimtare dhe e udhëhequr sipas Konventave të Gjenevës”, ka thënë Koci.

Ndërkaq avokati Tomë Gashi, ka thënë se vetë reagimi i Departamentit të Shtetit Amerikan, tregon se Kosova ka kaluar në një nivel tjetër nga ligji i votuar në Kuvend për formimin e Speciales, në marrëveshje kontraktuale, dhe se zhbërja e saj është e pamundur.

“Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është shumë e dëmshme për vendin, dhe këtu po shihet se deputetët nuk kanë menduar fare për interesat e Kosovës në gusht të vitit 2015 kur më tepër se 2/3 e numrit të deputetëve e kanë votuar formimin e kësaj Gjykate. Me këtë rast të gjithë udhëheqësit e asaj kohë, posaçërisht të PDK-së thanë se kjo është në interes të shqiptarëve dhe se është duke iu kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja”, ka thënë avokati Gashi për Indeksonline.

Ai thekson se zhbërja e Gjykatës Speciale, është në interes të atyre që do të akuzohen për vepra të tilla, por është tejet e dëmshme për të ardhmen e Kosovës.

“Nëse tani eventualisht votohet me ligj të Qeverisë së Kosovës, që të zhbëhet kjo gjykatë kjo do të ishte e mirë për ata që mund të akuzohen nga Specialja por për vendin dhe qytetarët do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme sepse do ta humbte mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së.

Me reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit ne veç kemi kaluar në një nivel tjetër ku ata qartas janë deklaruar se kemi të bëjmë jo vetëm më një gjykatë speciale të votuar nga deputetët e Kosovës por me një marrëveshje kontraktuale ndërkombëtare, që i bie se Kosova mund ta humbë mbështetjen e shteteve që kanë qenë sponzorizuese të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Megjithatë avokati Gashi, beson se një iniciative e tillë nuk do të kaloj tutje sepse për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale nevojitet të bëhen ndryshime kushtetuese e që automatikisht do të kërkonte edhe votën e deputetëve serb, që të cilët janë kundër kësaj ideje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme