OSHP-ja konstatoi falsifikim dokumentesh të dy kompanive në tenderin e Komunës së Mitrovicës

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 10:14 | Nga Ekonomia Online

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim për diskualifikimin nga pjesëmarrja në prokurim publik për tetë muaj të dy kompanive, “Quality Asphalt” SHPK dhe “Rahovica” SHPK, pasi ka konstatuar se në dokumentacionin e tyre të tenderit janë paraqitur të dhëna të ndryshuara lidhur me një pajisje të përdorur si kapacitet teknik. Me dyshime për falsifikim.

Rasti lidhet me tenderin e Komunës së Mitrovicës së Jugut për “Asfaltimi i rrugëve në Bajgorë, Rashan, Tërsten, Kutllovc dhe Vllahi – Komuna e Mitrovicës Jugore në bashkëfinancim me MMPHI”, shkruan Indeksonline.

Në qendër të rastit ishte një rimorkio-kompresor, me numër identifikues YA30626623041755 dhe targa 05-681-XB. Sipas vendimeve të OSHP-së, kjo pajisje ishte paraqitur në ofertat e të dy kompanive përmes marrëveshjeve për shfrytëzim me kompaninë “Komplast” SHPK.

Gjatë verifikimit të dokumentacionit, Komuna e Mitrovicës së Jugut kishte kërkuar sqarime lidhur me pronësinë e pajisjes. Nga dokumentet e shqyrtuara rezultoi se pajisja ndërkohë kishte kaluar në pronësi të kompanisë “Kom Group” SHPK, ndërsa libreza e përdorur në dokumentacion ishte e lidhur me pronarin e mëparshëm dhe nuk ishte më valide, shkruan Indeksonline.

Pas shqyrtimit të provave, OSHP-ja ka vlerësuar se në dokumentet e paraqitura në tender ishin ndryshuar të dhënat dhe se operatorët ekonomikë kishin tentuar ta mashtronin autoritetin kontraktues.

Në vendimin për “Quality Asphalt” OSHP-ja thekson se Komuna e Mitrovicës së Jugut kishte dorëzuar prova që dëshmojnë se operatori ekonomik “ka falsifikuar apo mashtruar autoritetin kontraktues me veprimet e tij”.

Të njëjtin konstatim OSHP-ja e ka bërë edhe për kompaninë “Rahovica” SHPK, duke vlerësuar se edhe kjo kompani kishte paraqitur dokumentacion të ndryshuar për të njëjtën pajisje në kuadër të së njëjtës procedurë të prokurimit.

Si rezultat, OSHP-ja ka vendosur që “Quality Asphalt” SHPK dhe “Rahovica” SHPK të diskualifikohen nga pjesëmarrja në prokurim publik për tetë muaj, përkatësisht nga 6 gushti 2026 deri më 5 prill 2027.

Të ngjashme