Osmani: Imazhi i sotëm Putin – Thaçi do ta copëtojë Kosovën

Prishtinë | 12 Nën 2018 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar pas takimit që presidenti Thaçi e pati me presidentin rus Putin, të cilit ia shpalosi idenë e ndarjes së Kosovës dhe nga i njëjti mori mbështetje. Osmani ka thënë se shtrëngimi i duarve të të dyve nuk është i papritur, pasi në Kosovë një politikan shqiptar për herë të parë del haptas në mbështetje të planeve serbe dhe ruse për ndarjen e shtetit.

“Shtrëngimi i duarve mes Putinit dhe Thaçit nuk është fare i papritur. Kjo sepse për herë të parë në historinë e Kosovës, një politikan shqiptar del haptas në mbështetje të planeve serbe dhe ruse për ndarje të Kosovës”, ka shkruar Vjosa Osmani në Facebook.

Ajo ka thënë se kjo nuk bëhet rastësisht nga Thaçi. “Shpresa që këto akrobacione të rrezikshme mund të shpëtojnë lëkurën e dikujt, mund të jetë njëra nga arsyet”.

Osmani thotë se Kosovës nuk i bën nder takimi me Putinin, si lider autoritar i izoluar nga Perëndimi për shkak të të bëmave të tij në ish-Republikat Sovjetike, e as mesazhi i përçuar përmes këtij takimi për një orientim tjetër gjeostrategjik që bie në kundërshtim me vlerat dhe aspiratat tona euroatlantike, shkruan Gazeta Express.

“Nder Kosovës do t’i bënte duarshtrëngimi me Kancelaren Merkel, e cila po lufton me ngulm për të mbrojtur kufijtë e Kosovës nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm të vendit tonë. Por, Thaçit i mungoi dje ajo fotografi, prandaj edhe e zëvendësoi me një të para disa muajve. Shpresoj që imazhi i sotëm Putin-Thaçi të bindë të gjithë deputetët e pushtetit që ka ardhur koha që copëtimin e vendit ta kundërshtojnë jo vetëm me fjalë por edhe me votë”, ka shkruar Osmani.

Presidenti Thaçi po përpiqet që të gjejë aleatë ndërkombëtarë për ta jetësuar idenë e tij për korrigjim kufijsh, të cilën opozita e quan ide ruso-serbe.

Duke gjetur kundërshtim të ashpër nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, rreth idesë së lëvizjes së kufijve, Thaçi është nisur drejt një adrese tjetër – te Vladimir Putin.

Thaçi, takimin me Merkelin e kishte ilustruar me një fotografi të vjetër, por sot ai tregoi përmes fotografive se me Putinin ka pasur një bisedë me temë kryesore marrëveshjen me Serbinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme