Kandidatja për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim para strukturave dhe mbështetësve të partisë, ku ka bërë thirrje për bashkim, zhvillim dhe forcim të shtetit të Kosovës.
Osmani deklaroi se Kosova nuk do të lejohet të dëmtohet nga përçarjet politike, por do të vazhdojë rrugën e ndërtimit dhe integrimit.
“Nuk do ta lëmë që të shkatërrohet nga përçarjet, por do ta ndërtojmë edhe më shumë, do ta zhvillojmë edhe më shumë, do ta integrojmë edhe më shumë, e do ta mbrojmë edhe më shumë. Po e rinisim këtë rrugë. Po e rinisim këtë rrugë. Po e rinisim këtë rrugë të gjithë së bashku në këtë shtëpi të madhe. Nga shtëpia jonë e përbashkët ku rëndon mbi supe trashëgimia më e çmuar politike, e cila ka trasuar rrugën e mbijetesës sonë kombëtare dhe të krijimit të shtetit më të ri të Europës, Republikës së Kosovës. Po e vazhdojmë këtë rrugë pikërisht aty ku kishte nisur me tri postulatet e shenjta: liri, pavarësi, demokraci! Dua që në fillim t’ju them faleminderit. Faleminderit të gjithëve për përzemërsinë, për gjithë mbështetjen dhe dashurinë që na dhatë në këtë rrugëtim të bashkimit tonë”, tha Osmani.
Duke falënderuar aktivistët dhe strukturat e LDK-së për mbështetjen, Osmani veçoi edhe kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, për përkrahjen që i ka dhënë gjatë këtij rrugëtimi politik.
“Me Lumirin, kandidatin tonë për kryeministër, dhe me secilin prej jush, jemi bashkë në misionin tonë për një Kosovë më të fortë e më të pathyeshme”, deklaroi Osmani.
Ajo shtoi se Kosova duhet të ecë përpara me energjinë e rinisë dhe me përkushtimin ndaj aleancave strategjike ndërkombëtare, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën demokratike.
Në fund të fjalimit, Osmani tha se rikthimi te vizioni politik i presidentit historik Ibrahim Rugova është domosdoshmëri politike dhe morale, duke theksuar se Kosova nuk mund të jetë “instrument i kalkulimeve të ngushta politike”, por projekt i sakrificës dhe besimit qytetar.