Osmani: Nuk jam ftuar të marr pjesë në mbledhjet e Kryesisë së LDK-së që nga fillimi i marsit

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 20:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se partia e saj nuk po e fton atë në mbledhje.

Osmani, kandidate për kryeministre të vendit nga radhët e LDK’së në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, ka thënë se nuk ka marrë pjesë që disa muaj në mbledhjet e kryesisë së ngushtë të partisë.

Ajo ka bërë të ditur se ka qenë rregullisht e pranishme në takimet e Kryesisë së partisë “deri në fillim të marsit”.

“Pastaj përnjëherë nuk ftohesha më, as kur diskutohej për tarifën, as për reciprocitetin, as për mocionin e mosbesimit”, është shprehur ajo në RTK.

Osmani ka thënë se një gjë e tillë po ndodh për shkak të qëndrimeve të saj të ndryshme me partinë.

“Nuk mund ta eliminosh dikë nga takimi vetëm pse ia di qëndrimet”, ka deklaruar Osmani.

Të ngjashme