Maqedonia e Veriut është shembull pozitiv për rajonin dhe këtu mund të përmenden edhe zgjedhjet presidenciale, që vendin e afrojnë edhe disa hapa drejt evropianizimit.
Megjithatë gjasat që ajo të jetë pjesë e Bashkimit Europian nuk shihen para vitit 2025, kështu tha Monika Begoviq nga Qendra për Studime Ndërkombëtare në Kroaci, e cila ishte e ftuar në panel në diskutimin “Ballkani Perëndimor dhe vlerat euroatlantike”.
“Mendoj se viti 2025 është viti për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe paraprakisht ajo do të jetë edhe anëtare e NATO-s. Muajt e fundit Maqedonia e Veriut tregoi se është shembull pozitiv dhe rrjedhimisht merr dritë jeshile që në vitin 2025 të jetë pjesë e BE-së. Vlerat evropiane vendi juaj i tregoi edhe gjatë politikë bërjes në përgjithësi”, deklaroi Monika Begoviq.
Megjithatë, anëtarësimin e Maqedonisë në BE, Dhushan Janjiq, drejtues i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike – Serbi, e sheh disa vite më vonë dhe shton se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund të përshpejtojë bisedimet për anëtarësimin e vendit në BE, transmeton Alsat.
“Agjenda e Maqedonisë tani është e qartë. Për një apo dy vjet pjesë e NATO-S dhe bisedimet. Maqedonia është shembull për dy gjëra, për rajonin për shmangien e përballjeve në të cilat mund të përfshihej dhe proceset politike deri në arritjen e vendimeve përmes bashkëpunimit. Nuk mund të parashikohet datë fikse. Janë 35 kapituj, kërkojnë kohë. Mendoj se Ballkani Perëndimorë mund të jetë pjesë e BE-së ne vitin 2030”, tha Dushan Janjiq.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, tha se 20 ditët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për vendin, pasi kaq ditë e ndajnë nga publikimi i Raportit Vjetor të Komisionit Evropian.
“Jemi në 20 ditët e fundit para publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian, për të cilin shpresojmë se do të jetë ai raport në të cilin do të jetë edhe vendimi për fillimin e negociatave me BE-në, në qershor. Tani duke hyrë në një stabilitet dhe parashikueshmëri politike mund të përqendrojmë të gjithë energjinë duke mos lënë argumente apo gur pa kthyer për të marrë, së pari raportin më të pastër dhe rekomandim pozitiv”, tha Osmani.
Të premten Osmani do të udhëtojë drejt Brukselit ku do t’i drejtohet për herë të fundit Komisionit Evropian, para publikimit të Raportit.