Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur një peticion kombëtar drejtuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se nuk do të ndalen së kërkuari vetëm drejtësi për ta dhe për të treguar se janë kundër Gjykatës Speciale dhe jo drejtësisë së drejtë.
“Nuk kemi reshtur kurrë kundër kësaj Gjykate Speciale, jo kundër drejtësisë, por kundër padrejtësisë që po ndodh në Gjykatën Speciale dhe kemi gjetur mbështetje nga 7 universitete të Kosovës, një në Tiranë dhe dy në Shkup dhe Tetovë. Ne jemi përgatitur ta bëjmë një peticion kombëtar dhe prej sot do të hyjë në fuqi. Arsyeja që ne si qytetarë të Kosovës dhe shoqata të dala nga lufta, si dhe studentët të cilët na janë bashkuar për të bërë peticionin për ish-krerët”, tha ai.
Riad Bislimaj, kryetar i parlamentit studentor, i cili ishte pjesë e përpilimit të këtij peticioni ka lexuar kërkesat e drejtuara në këtë peticion.
“Ne, nënshkruesit e këtij peticioni, luftëtarë, familjarë të dëshmorëve dhe mbështetës të UÇK-së, i drejtohemi Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë me ndjenjën e lartë të obligimit qytetar e kombëtar në fazën përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj luftëtarëve të lirisë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Vendimi që pritet ka peshë historike, juridike dhe politike. Si i tillë, do të ketë ndikim në stabilitetin rajonal dhe në perceptimin e drejtësisë dhe besimit në institucionet ndërkombëtare. Andaj, ne konsiderojmë që vendimi duhet të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara në gjykim. Çdo ndikim i drejtpërdrejtë apo tërthor politik do të dëmtonte rëndë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila presim të jetë e paanshme dhe pa standarde të dyfishta”, tha ai.
