Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dënuar në mënyrë të prerë gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj Ramush Haradinajt, Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit.
Në një reagim publik, OVL-UÇK i ka cilësuar thirrjet për dhunë si akte kriminale, duke theksuar se ato cenojnë sigurinë publike, rendin kushtetues dhe vlerat mbi të cilat, sipas organizatës, është ndërtuar liria dhe shtetësia e Kosovës.
“Thirrjet publike për dhunë janë akte kriminale. Ato godasin sigurinë publike, rendin kushtetues dhe vetë vlerat mbi të cilat u ngritën liria dhe shtetësia e Kosovës”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Organizata ka përgëzuar Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës për veprimin e shpejtë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa ka kërkuar që rasti të trajtohet me të njëjtën vendosmëri edhe në fazat e mëtejshme të procesit ligjor.
Sipas OVL-UÇK-së, ndaj kërcënimeve të tilla nuk duhet të ketë hapësirë për kompromis.
“Çdo kërcënim i tillë duhet të përballet me gjithë forcën e ligjit”, thekson organizata.
OVL-UÇK paralajmëron se çdo ngurrim institucional në raste të tilla mund të krijojë precedent të rrezikshëm dhe të inkurajojë persona që synojnë të cenojnë stabilitetin e Kosovës.
“Ky shtet ngrihet mbi sakrificën e atyre që e fituan lirinë, dhe kërcënimet ndaj tyre nuk do të tolerohen”, thuhet më tej në reagim.
Në përfundim, OVL-UÇK ka kërkuar që drejtësia të veprojë me vendosmëri, të vendosë përgjegjësit para ligjit dhe të shqiptojë masat ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.