Me mungesën deputetëve të dy partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, grupet e tjera parlamentare e kanë përkrahur Platformën për Dialogun, raporton Ekonomia Online.
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, kritikoi dy partitë opozitare, LDK-në dhe VV-në. Sipas tij, ata që në fillim kanë qenë për platformë, tash po e kundërshtojnë.
“Nga ky projektligj, buron e drejta e delegacionit shtetëror për të sjellë një platformë gjithëpërfshirëse që dëshmon se ky delegacion e ka seriozisht. PDK e mbështet por edhe do kërkojë përgjegjësi ndaj delegacionit për çdo hap që do ta ndërmarrin”, tha Reçica.
Mbështetje Platformës i dha Partia Socialdemokrate. Në emër të grupit parlamentar të kësaj partie, Dukagjin Gorani, tha se dialogu është i pashmangshëm, duke shtuar se ideale do të ishte që vendi të kishte Qeveri të shumicës që ta udhëhiqte këtë proces.
“Dialogu është proces i pashmangshëm. Si projektligji ashtu edhe platforma janë reflektim për situatën aktuale. Këto janë dokumente të përpiluara në një kohë të provokimeve dhe fjalëve për ndarje të vendit dhe copëtim të territorit. Andaj këto dokumente do të sigurojnë Kosovën. Shpresoj ti kuptoni si përpjekje që të arrijmë pajtueshmëri. Ideale do të ishte ta kishim një Qeveri të shumicës e cila do të udhëhiqte këtë proces. Këto diskutime veç po e vështirësojnë dhe s’po gjejmë zgjidhje. Sot duhet të përpiqemi të vendosim për atë që është optimale. Që të arrijmë në një proces të përbashkët”, tha Gorani, raporton Ekonomia Online.
Po ashtu Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, përkrahën platformën.
Bilall Sherifi, shef i grupit parlamentar të Nisma-s, tha se Platforma jep përgjigje për të gjitha shqetësimet.
“Kjo platformë i jep përgjigje të gjitha shqetësimeve”, tha Sherifi.
Albert Kinolli nga grupi parlamentar, 6+ , tha se besojnë në transparencën e delegacionit.
“Besojmë në këtë delegacion dhe në transparencën e delegacionit. I vetmi mjet për ta arrit paqen është ky delegacion”, tha Kinolli.
Por deputeti i Alternativës, Ilir Deda, kundërshtoi votimin e Platformës, sipas tij, nuk mund të bëhet veprime për dialogun, pa e ditur se çfarë do ndodhë me taksën.
“Nuk mund të bëhet hajgare me këtë gjë. Për të votuar platformën dhe pastaj për t mbetur në situatën e njëjtë, pa e ditë se fare do të ndodh me taksën”, tha Deda.