Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se subjekti politik që drejton ai duhet ta udhëheqë Qeverinë, sepse garnitura aktuale politike qe 16 vjet nuk ka bërë asgjë.
Këto komente ai i ka bërë në Kuvendin Zgjedhor të degës së AKR-së në Gjilan, raporton Ekonomia Online.
“Secili që ka ardhur deri tani, ka punuar në mënyrën e vet, ka bërë politikat të mëdha, ka premtuar shumë, por nga suksesi asgjë nuk është arritur”.
“Gjilani kështu ka qenë, kështu ka mbetur; me probleme më të mëdha, me punësim që nuk u arrit asnjëherë”, ka thënë Pacolli.
Por, Pacolli beson se Gjilanit po i kthehet shpresa me AKR-në. “Jam shumë i lumtur që AKR në Gjilan po kthehet fuqishëm. Është vizion yni, dëshirë e jona që Kosovës t’ia kthejmë hakun”.
“Kërkesat për një jetë më të mirë janë më të mëdha, shpresa është zbehur, prandaj AKR-së i mbetet fronti i hapur për të punuar”.
Sipas Pacollit, AKR-ja është alternativa e vetme që e rikthen shtetin në binarë. “Vetëm AKR-ja i sjell perspektivë këtij vendi. Ne duam Gjilanin, ne e duam Kosovën, dimë si të punojmë, këtë e kemi dëshmuar”.
“Kosova ka nevojë për AKR-në, ka nevojë për programin e AKR-së, për eksperiencën e saj. Programi i AKR-së është ai i cili do ta përmirësojë imazhin tonë të dëmtuar”, ka thënë Pacolli.