Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli ka shprehur besimin e tij të plotë se kryesuesja e sapozgjedhur e Këshillit të BE-së, Ekaterina Zaharieva do vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj euro-atlantike.
Pacolli ka thënë se gjatë muajit tetor të vitit që lamë pas, ka zhvilluar një takim me Zaharievan ku temë diskutimi ishte pikërisht integrimi i Ballkanit Perëndimor, konkretisht Kosovës.
Ky është komenti i plotë i Pacollit:
“Dita e parë e Vitit të Ri, vërtetë nisi me një lajm të mirë jo vetëm për perspektivën evropiane të Kosovës, por të gjithë vendeve të rajonit. Nga sot, shteti mik i Kosovës – Bullgaria pranoi zyrtarisht kryesimin e radhës të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, ndërsa Ballkani Perëndimor është njëri nga prioritetet kryesore.
Si mikëpritës i homologes time bullgare, Ekaterina Zaharieva, në Kosovë gjatë muajit Tetor të vitit që e lamë pas ne diskutuam gjërë e gjatë në lidhje me këtë dhe kishim edhe një drekë të përbashkët pune.
Kam besimin e thellë se mbështetja bullgare për Kosovën do të jetë e fuqishme mbi proceset euro-atlantike të Kosovës, anëtarësimin e vendit tonë në Organizata Ndërkombëtare, ashtu siç është edhe vullneti i dyanshëm për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve”.