Me rastin e përmbylljes së vitit kalendarik 2018, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka organizuar një pritje-koktej me gazetarë.
Pacolli ka thënë se Kosova është në rrugë të mirë, ndërsa ka bërë lutje edhe tek mediat që të raportojnë me lajme të mira dhe të mendojnë për imazhin e Kosovës.
Ai ka thënë se pavarësisht ndryshimeve gjeostrategjike që kanë ndodhur, MPJ po punon që Kosovës t’i sigurojë njohje nga shtetet e tjera, ndërsa ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, për të cilin ka thënë se duhet të jemi të kujdesshëm, raporton Ekonomia Online.
“Si gjithmonë MPJ është institucion demokratik, transparent dhe bashkëpunimi me mediat është i mirëseardhur. Bashkëpunim të ndërsjellët dhe të sinqertë për këtë arsye dyert e MPJ janë të hapura. Kemi pas disa veprime të rëndësishme lër vendin tonë që jo gjithsesi kanë gjet mbështetje tek ndërkombëtarët. Është institucion që duhet me gjet mënyrën se si me amortizuar atë që ndodhë në vend”, tha Pacolli.
Kryediplomati kosovar shtoi se MPJ do të punojë për interesat e Kosovës, teksa tha se shtetet që e kanë njohur vendin, janë stabile.
“Tani nuk ka shtete që janë labile dhe stabile. Janë shtete që për shkak të interesit të tyre, janë përcaktuar. Përcaktimet kanë ndodhë në bazë të interesave të shteteve në baza politike. Perëndimi ka interesin e vet të prezencës vet por nuk është më zotuesja e krejt kontinentit. MPJ është institucion i vogël ndoshta me ndryshuar zhvillimet gjeostrategjike në botë. Ne jemi aty me shfrytëzo raste duke pas parasysh edhe të kaluarën tonë me krijuar ambient të favorshëm për Kosovën. Jemi shtete numër një që ka marrëdhënie diplomatike më së shumti në botë”, u shpreh Pacolli.
Sa i përket njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, Pacolli pohoi se ky proces merr shumë kohë.
Sipas tij, njohje nga shtetet e tjera do të ndodhin shumë shpejt.
“Kam thënë se do të ketë njohje më shumë, procesi i njohjeve nuk është më proces i thjeshtë dhe njohjet marrin shumë mund dhe kohë por ju garantoj se jemi duke punuar me shtetet që kanë mbete dhe jemi duke punuar me shpresë që këto njohje do të vijnë”, tha Pacolli, raporton EO.
Kishte edhe lutje për gazetarët.
“Ju lus që faktorin Kosovë ta trajtojmë edhe pak jashtë kornizave gazetareske sepse Kosova ka nevojë për prezantim më të mirë, prodhim të lajmeve të mira. Para çdo shkrimi që bëni, mendoni për Kosovën”, u tha Pacolli gazetarëve.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, tha se Kosova duhet të hapë kapitullin e dialogut me Serbinë, sipas tij, duhet të jemi të kujdesshëm dhe ti ndihmojmë Kosovës.