Në një tubim me qytetarë, të mbajtur sot në Shtërpcë, presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme të AKR-së për kandidatin e koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti.
Duke i falënderuar qytetarët e Shtërpcës për pritjen, Pacolli theksoi se, tash pas shumë vitesh e drejta e qytetarëve për mirëqenie do të realizohet.
Presidenti Pacolli me këtë rast tha se Koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa, është koalicion i vlerave sepse në vete përmban kuadro të shumta me shkollime të avancuara dhe njerëz të suksesit. “Ne nuk do ta dhunojmë e ta zhvatim shtetin, por do te punojmë me të gjithë potencialin për interesat e qytetarëve të Kosovës” tha Pacolli.
Ai konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme ndaj kandidatit për kryeministër Avdullah Hoti, duke thënë se është njeriu më i denjë për këtë përgjegjësi të madhe. “Z.Hoti është njeri i vlerave e i punës, ai do ta ketë përkrahjen time të pa rezervë ne zbatimin e programit tone qeverisës. Prandaj me datë 11 qershor duhet ta certifikojmë këtë njeri që të udhëheqë Kosovën për vitet e ardhshme”, ka shtuar kreu i AKR-së.
Ndërsa kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit, Avdullah Hoti,iju bëri thirrje qytetarëve që më 11 qershor t’i bashkohen karvanit të fitores. Ai përmendi bukuritë natyrore të Shterpcës edhe premtoi që do ta shndërrojë atë në vend turistik.
“Jeni vend specifik me bjeshke te bukura e me ajrin e mrekullueshëm, këto fshatra malore duhet te shndërrohen ne vendet me te kërkuara turistike” Gjithashtu Hoti ka premtuar zhvillim të blegtorisë dhe bujqësisë, dhe ka shtuar se grantet për bujqit do të dyfishohen.