Pacolli i bindur se Kosova është njohur nga 116 shtete

Prishtinë | 19 Dhj 2018 | 14:14 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Behgjet Pacolli ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike lidhur me fushëveprimtarinë e MPJ-së.

Pacolli në fillim të raportimit ka kërkuar falje që nuk ka pas mundësinë të vij të raportoj në komision, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, janë krijuar përshtypjet se i ka ikur përgjegjësisë por mungesat në raportim tek komisioni kanë qenë të pamundura për shkak të agjendës së tij dhe vizitat që ka pasur jashtë vendit.

Në 7 ftesat që i janë bërë Pacollit, vetëm 3 kanë qenë të mundura të realizohen dhe të raportojë. Më pas ai ka paraqitur punën e kësaj ministrie.

“Deri në shtator të këtij viti situata në mes nesh ka qenë e relaksuar u jam përgjigjur ftesave tuaja e pyetjeve, por distanca jashtë syve e larg zemrës kërkoj një marrëveshje në mes nesh”, tha Pacolli.

“Unë asnjëherë nuk kam refuzuar ftesën për të marr pjesë në komision për arsye objektive kam tentuar me shty këtë datë, por jemi këtu dhe viti i ri po vije mos të bartim hidhërime nga ky vit në tjetrin por të kemi bashkëpunim”, tha ai.

“Në Kombet e Bashkuara nuk kemi zyre dhe staf atje, do ishte mirë tu ju thoni kolegëve tuaj të mos i thonë skuta, por është një zyrë e instaluar përkohësisht dhe aty janë korridoret e skutat siç i quani ju por nuk kemi mundësi të bëjmë një zyrë dhe të i presim mysafirët në zyrë. Për 100 ditët e para të qeverisë time ju garantoj se unë kam kaluar 100 mijë kilometra me stafin tim dhe deri tani nga 400 ditë kalendarike 180 ditë kam qenë në udhëtim dhe ka qenë një vëllim i punëve”, tha ai.

Kryesuesja e komisionit, Vjosa Osmani u shpreh e dëshpëruar me mosprezencën e Pacollit në komisione. Osmani tha se rezultatet e ministrisë së Punëve të Jashtme kanë qenë të rëndësishme për të u raportuar si tema e Interpolit, tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës.

“Rregullorja e Kuvendit nuk na lejon të mbajmë takime nëse nuk janë konfirmuar 4 ditë më parë”, tha Osmani.

Osmani tha se komisioni për Punë të Jashtme është lënë anash vazhdimisht nga MPJ për të qenë të informuar me punën e politikës së jashtme.

Sipas saj, MPJ ka qenë mosbashkëpunues me këtë komision dhe këtë nuk e dëshiron të ndodh në vitin e ardhshëm, raporton EO.

“Këtu nuk duhet të ketë parti e as politikë, fusha e politikës së jashtme janë tema përtej asaj partiake, angazhimi i gjithë komisionit është fuqizimi subjektiv të politikës së jashtme, askush për politikën e jashtme nuk mund të jetë i suksesshëm vetë, ose ka punë të përbashkët në fushën e politikës së jashtme, ose ka dështim”, tha ajo.

“Kam mund më qenë i pranishëm në seancën parlamentare, por kam qenë i sëmurë dhe nervoz sepse e kam ditur që do marr fjalë jo të mira dhe nuk mundëm të i duroj ofendimet”, tha Pacolli duke arsyetuar mungesën e tij në seancën e jashtëzakonshme për politikën e jashtme.

Më pas Pacolli tha se Republika e Kosovës ka 116 njohje të dëshmuara nga shtetet tjera.

“2 shtete të mëdha Nigeria dhe Uganda kanë dërguar nota verbale të nënshkruara nga presidenti i shtetit të tyre. Unë kam qenë para 5 viteve në Uganda dhe ka premtuar vazhdimisht deri sot asnjëherë nuk është jetësuar ky dokument sepse ndikimi i Serbisë ka qenë i madh në MPJ të tyre”.

“… sot e ke vështirë me gjetë një ministër në këto shtete ku udhëheqës i saj apo ministër nuk kanë qenë ambasador ne Beograd janë të influencuar prej saj e njëjta ka qenë në Nigeri”

“Jetësimi i njohjes pas vdekjes së ministrit të MPJ të Nigerisë është në proces e sipër, me Ugandën nuk e di”

Ai tha se edhe pse Nigeria nuk e njeh Kosovën si shtet ka mbështetur Kosovën vazhdimisht ashtu siç ishte edhe në Interpol,  ndërsa Uganda ka qenë kundër nesh. Pacolli tha se procesi i njohjes nuk është i lehtë.

“Njohjet kanë ardhur tek ne edhe notat verbale deri tani asnjë notë verbale, pos Solomanailent nuk ka ardhur asnjë shkresë tek në ku thuhet se në jemi duke tërheq njohjen apo nga marrëdhëniet me Kosovën”.

Pacolli ka përmendur të gjitha shtetet të cilat janë raportuar se kanë tërhequr njohjet e Kosovës si shtet.

Ai këto i ka arsyetuar se ministrat që janë tani në ato shtete më parë kanë shërbye në Serbi apo Rusi si ambasador dhe për këtë janë ndikuar dhe si pasoj e kësaj ata kanë ngrirë raportet me Kosovën dhe Serbinë deri sa të përfundoj dialogu në mes dy palëve.

“Janë influencuar shumë nga pala tjetër dhe kanë thënë se ne po i ngrijmë raportet me shtetet deri sa të përfundoj dialogu”, tha Pacolli.

Pacolli tha se deri më tani sipas tij 30 milionë i ka kushtuar shtetit të Serbisë për lobim kundër Kosovës, ndërsa Kosovës nën 3 milionë për lobim.

Sipas tij, asnjë notë verbale për tërheqje të njohjes së shtetësisë së Kosovës, pos Ishujve Solomon nuk ka ardhë në mënyrë zyrtare.

Pacolli tha se ish-ambasadori i Austrisë dhe Australisë, Sabri Kiçmari ka kërkuar një post më të mirë në MPJ, por kjo ka qenë e pamundur dhe për këtë arsye Kiçmari ka thënë deklarata jo të vërteta sa i përket tërheqjeve të njohjeve.

Po ashtu ka hedhur poshtë edhe deklaratat e zv.kryeministrit Enver Hoxhaj që në medie ka thënë se Kosova ka tërheqje të njohjeve, Pacolli tha se ndoshta Hoxhaj e ka pasur fjalën për ishujt Solomone.

Deputetja e VV-së Fitore Pacolli tha se sa i kanë çanta i kanë kushtuar Kosovës njohjet, por Ministri Pacolli tha se Kosova nuk jep çanta për njohje dhe nuk dëshiron të citohet për një gjë të tillë.

“Nga ana jonë ne e kemi një gjë me mbrojt, me mbrojt drejtësisht atë që ka ndodhë në Kosovë, ka ndodh një gjë e drejtë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, jemi pavarësuar dhe kemi të drejta tona si shtet”, tha Pacolli.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se edhe ambasadori britanez e ka konfirmuar se ka probleme me tërheqjen e njohjeve.

Sipas tij, ambasada britanike nuk lëshon deklarata të pavërteta dhe të pakonfirmuara.

Në anën tjetër, ministri Pacolli tha se nuk beson se ambasadori i Britanisë në Kosovë, ka informacione tjera.

Ai kërkoj nga ambasadori britanez, Ruairi O’Connel, që të japë detaje.

“Nuk besoj se as ambasadori i Britanisë ka informacione tjera, nëse do ishte ndryshe unë kërkoj nga ai të na tregon se çka në nuk dimë, por ky është realiteti”, tha ministri Pacolli, raporton Ekonomia Online.

Pacolli shoi se MPJ është e përkushtuar edhe në përmirësimin e raporteve me pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovën.

“Serbia po zhvillon një fushatë gjithë parlamentare dhe sipas tij në vitin e ardhshëm Parlamenti i Kosovës duhet të përgatitet që vitin e ardhshëm të ndahet në grupe dhe të i vizitoj shtetet tjera në mënyrë që bashkërisht të arrijnë rezultate”, tha Pacolli.

Kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, tha se ky komision 80% e deputetëve nuk posedojnë viza Shengen e lërë më tjera. Sipas saj, kërkesat për vizë shkojnë deri në dy muaj.

Të ngjashme