Pacolli: Këto ditë pritet njohja e Kosovës nga Kongo, shumë shpejt edhe nga Etiopia

Prishtinë | 02 Maj 2019 | 13:31 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është përgjigjur para Komisionit për Punë të Jashtme lidhur me Samitin e Berlinit dhe procesin e njohjeve, të adresuara nga deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

“Atje nuk ka pasur një qëndrim të koordinuar dhe unik të dy institucioneve. A mendoni që ky mos unitet i qëndrimeve ka dëmtuar raportet bilaterale me shtetet nikoqire dhe raportet e Kosovës në nivel ndërkombëtar. Çështja e dytë ka të bëjë me njohjet. Këto dy vite kemi ngecjen më të madhe në procesin e njohjeve. Cila është arsyeja themelore e ngecjes së njohjeve”, ka pyetur Osmani.

Pacolli tha se ka pasur presione që taksa të hiqet. Ai tha se nga ambasadori amerikan është kërkuar që taksa të pezullohet për dy javë, ndërsa nga Merkel është kërkuar që të pezullohet dhe të shihet nëse dialogu shkon në rrugën e duhur.

“Ne patëm një koktej dhe aty filloi presioni, fillimisht kryeministrit që duhet të hiqet taksa dhe të vazhdojë dialogu. Kush iu ka afru atij i ka kërku pezullim të taksës. Pezullim për dy javë i taksës është kërku edhe nga ambasadori i ShBA-së. Normalisht z. Haradinaj thotë se taksa nuk hiqet dhe ky presion vazhdon te vendet e Ballkanit Perëndimor. Më vonë këshillat e Merkel kanë qenë që suspendoni këtë taksë dhe i definojmë gjërat si ndodhin. Nëse nuk ndodhin siç parashihet, jeni i legjitimuar për ta vënë përsëri taksën. Pason edhe propozimi i presidentit Macron, e njëjta retorikë”, ka thënë Pacolli.

Ai më tej ka treguar se si ka pasur rrjedha e takimeve në këtë samit dhe se cka u bisedua aty.

“Konferenca e Berlinit do shënohet në histori. Kemi pasë takime të veçanta me ambasadorin amerikan në Berlin. Vizita ka qenë miqësore dhe kemi marrë mbështetjen e fuqishme nga ShBA. Jemi inkurajuar që të vazhdojmë takimet tona në Berlin. Para fillimit të takimit me organizatorët kemi pasë takim me Mogherinin. Ajo bëri një rikapitulacion të asaj që ka ndodhë dhe paraqiti kërkesën që sa më parë të fillojë dialogu. Prapë përsërit se ajo asnjëherë nuk ka bisedu me askë për ndarje të territoresh, për ndarje kufijsh. Pas saj fillojnë takimet e rregullta”, tha Pacolli.

“…Secili folës ka potencu se duhet të vijë deri te pajtimi. Presidenti ka qenë shumë kritik ndaj BE-së sidomos ndaj atyre që nuk kanë mbajt premtimin për vizat. Presidenti ka rikonfirmu se vënia e taksës ka qenë e drejtë dhe do qëndroj derisa Serbia jep shenja se ulet në tavolinë dhe do bisedohet për një pajtim të parevokueshëm ku do të pasoj njohja. Çdo informatë tjetër sa i përket jashtë kësaj që thash është spekulim. Fjalimi i kryeministri ka pasu po me të njëjtin ton”.  Serbia ose Vuçiqi si gjithmonë kanë luajt rolin e viktimës dhe përmend taksën se si unë të ulem të bisedoj me taksë 100 për qind”. 

Ai bëri të ditur se Samiti i Parisit do jetë para 1 korrikut dhe se pjesë e tij do jetë edhe ekipi negociator.

“Në Samitin e Parisit do vijë edhe ekipi negociator. Më 1 korrik, edhe pse unë e kam kuptu se do jetë para 1 korrikut sepse rreth 1 korrikut është edhe një Samit tjetër. Nëse e kam kuptu mirë para 1 korrikut duhet të jetë”, ka thënë ai.

Kurse, për njohjet Pacolli tha se është bërë proces i ndërlikuar për shkak të interesave gjeostrategjike të shteteve të mëdha.

“Sa i përket njohjeve është një proces i ndërlikuar. Është ndërliku jashtëzakonisht sepse bota është nda në interesa gjeostrategjike, një pjesë dominohet nga Kina dhe normalisht dominon edhe politikisht. Rusia është shumë prezente, në mënyrë intensive punon në disa shtete”.

Ai bëri të ditur se këto ditë pritet njohja nga Kongo.

Pacolli tha se Kosova do aplikoj për Këshillin e Evropës pasi tani është e gatshme.

 “Unë besoj menjëherë pas zgjedhjeve ne do aplikojmë. Ne jemi të gatshëm të aplikojmë në Këshillin e Evropës tani. Ka qenë vendim i diplomacisë së Kosovës që të vie sekretari i ri, të çojnë zgjedhjet dhe të aplikojmë”.

Ndërsa, tha se Gjykata Speciale nuk është përmendur asnjëherë në këtë kontekst.

“Asnjë rast nuk është përmend gjykata speciale”.

E, sa i përket Interpolit, Pacolli kërkoi që raportimi mbi të të bëhet pa praninë e medieve për çka anëtarët e komisionit u pajtuan.

“Për Interpolin dhe gjithçka rreth Interpolit do kisha dashtë në një seancë të deklarohem vetëm me ju pa prezencën e medieve”.

Ai tregoi edhe për vizitat në katër muajt e parë të vitit.

“Këta katër muaj të këtij viti kanë qenë intensive. Kam pasë disa vizita për të cilat opinioni është i informuar, por që për disa nuk është informu. Shembull në Uashington kemi pasë takim me koalicionin kundër terrorizmit dhe aty jemi takuar me homologë nga e gjithë bota. Gjatë këtij takimi unë jam taku edhe me homologun nga Kolumbia i cili në një takim me të me japi votën verbale se ata janë të gatshëm të dekretojnë ambasadorin e tyre në Kosovë. Ne kemi kërku nga ta miratimin për hapjen e ambasadës së Kosovës atje. Ne vazhdojmë të punojmë edhe me vende tjera në rajon. Një koncentrim i madh është rreth Kilit të asamblesë së Interpolit që do mbahet aty dhe aty jemi duke punuar”, tha Pacolli, raporton EO.

Ai tha se gjatë konferencës në Emiratet e Bashkuara ka pasur mundësinë të zhvilloj takime bilaterale edhe me përfaqësues të shteteve si, Ukrainës, Indisë, Maldiveve, Somalisë, Omanit, Afganistanit, Bangladeshit etj.

“Kemi biseduar për forcimin e pozitës së Kosovës në këto shtete. Kemi bisedu për letrën e Serbisë që është shpërnda dhe shpërndahet çdo muaj nga Serbia që të mos ta njohin Kosovën dhe të mos interferojnë në situatën në Kosovë krahas Serbisë. Çdo interferim do ndikonte në prishjen e paqes, është shkruar në letra”.

Ndërsa, pohoi njohje nga disa vende të Afrikës. Ai tha se ka marrë konfirmimin se shteti i Etiopisë tashmë ka nisur procedurat për njohjen e Kosovës.

“Takimin që pata me presidenten e Etiopisë mora edhe një herë konfirmimin se Etiopia është në proces të njohjes së Kosovës. Unë kam vizitu Japoninë. Kemi ardhë në përfundim që ata ta hapin ambasadën tonë në janar të vitit tjetër”, tha ai, raporton EO.

Ministri i MPJ-së tha se lajmin për liberalizimin e vizave beson që do ta marrin gjatë Samitit të Parisit ndërsa pohoi se kanë mbështetjen e Gjermanisë.

“Gjermania është shtet kyç për liberalizimin e vizave. Nëse gjermania është pro ne do kemi liberalizim të vizave. Ne kemi Poloninë e cila na mbështet, kemi disa shtete evropiane por pa një shtet tjetër të madh nuk kemi mundur të kalojmë. Vizita jonë te ministri i MPB që patëm në Berlin na bën optimistë dhe t’iu konfirmoj se Gjermania do jetë në anën tonë”.

I pyetur nga deputetja Fitore Pacolli për lobimin në Afrikë dhe jo në Evropë sa duhet, ministri i MPJ-së iu drejtua se kjo është paragjykuese duke shtuar se vetë është shtetas evropian.

“Së pari me paragjykime nuk është mirë të bëni pyetje. Është tendencioze të harrohet se ju fola për takimet në Greqinë, Rumaninë e të tjera. Jemi duke punuar edhe me Spanjën. Është tendencioze nëse pyesni pse bashkëpunoj me vende afrikane e jo evropiane. Zonjë unë jetoj në një vend evropian, punoj në një vend evropian, në një vend transparent, jam edukuar në vend perëndimor”.

Ndërsa, i pyetur se cili ka qenë interesi i tij dhe se si kompensohet ai për shpenzimet e aeroplanit privat për në Samit, ai u përgjigj se e donë më shumë Kosovën se deputetja Pacolli.

“Interesi jem qenka se unë e du Kosovën më shumë se ti, që ku është interesi jem pra”, iu drejtua ai Pacollit.

Të ngjashme