Mosratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit këtë të mërkurë por edhe në të kaluarën ka dëshmuar edhe njëherë paaftësinë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të pasur një konsensus të përbashkët rreth çështjeve të mëdha nacionale.
Ndonëse javën që lamë pas partitë e koalicionit qeverisës PDK-AAK-NISMA arritën një marrëveshje me LDK-në për të votuar ratifikimin e demarkacionit, kjo nuk bëri që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe të ndryshojnë qëndrim.
Madje në ditën kur duhet të votohej demarkacioni me Malin e Zi filluan akuzat ndërmjet AAK-së e LDK-së për ndryshim fjalësh në tekstin e përpiluar në Komisionin për Punë të Jashtme.
Ende nuk është e qartë se si do të reflektohet kjo në ditën kur do të ndodhë votimi për demarkacionin. Për dallim nga koalicioni qeveritar PDK-AAK e NISMA, Lista Serbe që është pjesë e Qeverisë nuk ka precizuar qëndrimin e saj rreth demarkacionit. Madje është raportuar se me kërkesë të kësaj partie është kërkuar shtyrja e votimit për javën e parë të muajit mars duke u përmendur edhe zv.kryeministri Behgjet Pacolli si personi që ka ndërmjetësuar për këtë shtyrje të votimit të demarkacionit.
Pacolli ka reaguar rreth këtyre pohimeve duke mohuar të jetë marrë vesh me autoritetet e Serbisë që të bllokohet demarkacioni derisa të përfundojnë zgjedhjet për kryetar të Beogradit.
Zëvendëskryeministri në një prononcim për Telegrafin ka folur rreth këtyre akuzave duke thënë se janë gënjeshtra.
“Është gënjeshtër apo konspiracion i ulët. S’ka pas marrëveshje por kam pasur informatën se Lista Serbe të mërkurën nuk do ta votojë demarkacionin”, ka thënë Pacolli.
Ai ka shtuar se Lista Serbe pritet që të votojë demarkacionin javën e ardhshme për kur edhe u vendos që të jetë sërish në rend dite kjo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës.
“Lista Serbe votimin e demarkacionit do ta bëjnë pas datës 5 mars”, ka thënë Pacolli .
Ndryshe Telegrafi ka tentuar të flasë edhe me zyrtarët e Listës Serbe mirëpo asnjëri nga ta nuk kanë qenë të gatshëm të japin deklarata përkundër faktit se të njëjtin janë paraqitur fillimisht në telefon mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje.