Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se pret që shumë shpejt, Maqedonia e Veriut, të lirojë Tomor Morinën, ish-ushtar i UÇK-së, i ndaluar sot pas urdhër-arrestit nga Serbia.
Pacolli ka thënë se Kosova është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Maqedoni dhe pret lirimin e shpejtë të Morinës, teksa ka shtuar se këto urdhër-arreste nga Serbia s’kanë as kuptim e as bazë ligjore.
“Ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet e Maqedonisë Veriore për të siguruar lirimin e Tomor Morinës, një ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Urdhër-arrestet politike të Serbisë kundër luftëtarëve të lirisë së UÇK-së nuk kanë kuptim dhe as bazë ligjore dhe thjesht bazohen në arsye politike. Ne besojmë se së shpejti lirimi i tij do të ndodh dhe kështu edhe kthimi i tij tek familja e tij. Kosova dhe Maqedonia Veriore kanë miqësi të ngushtë dhe partneritet dhe si partnerë ne do ta zgjidhim këtë çështje. Tomori do të lirohet shpejt”, ka shkruar ai në Facebook.