Presidenti Behgjet Pacolli u prit sot në Gjilan nga qindra simpatizantë e përkrahës të Aleancës Kosova e Re, të cilët kishin ardhur për t’u njoftuar nga afër me kandidatët e partisë për deputetë. Kryetari i degës së AKR-së ne Gjilan Ismet Hajdini, e hapi këtë tubim ku i pranishëm në mesin e mysafirëve të shumtë ishte edhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Në fjalën e tij para qytetarëve Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli falënderoi fillimisht strukturat e partisë në Gjilan, për punën e tyre të mrekullueshme në degë. Ai po ashtu ka përshëndetur edhe përfaqësuesit LDK-së, partnerit të koalicionit të AKR-së për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme 2017. Ai tha se koalicioni mes dy partive është bashkim i natyrshëm i cili sipas tij ka origjinë të njëjtë.
“Koalicioni ynë do të krijojë mundësi punësimi dhe rritje ekonomike. Ne do të arrijmë rritje ekonomike prej 8 % qysh në dy vitet e para të qeverisjes, kjo do të krijojë rreth 70 mijë vende të reja pune”, ka theksuar, duke treguar për planet e krijimit të tri platformave agro-ekonomike. “Do të lidhim zingjirin e bujqësisë dhe ai do të jetë pjesë përbërëse e konzorciumit të agro-platformës ekonomike, kjo është mënyrë moderne e punës”, ka treguar ai më tej. Numri një i AKR-së ka thënë se përmes qeverisjes së koalicionit AKR-LDK, Kosova do të përfshihet në tregun global të kompanive.
“Qe tani kam filluar kontaktet me kompani globale, me tri brende të rëndësishme evropiane, brende me të cilat ne do të prodhojmë ushqim dhe do të jemi pjesë e eksportit dhe rrjedhimisht ta zvogëlojmë importin”, ka thënë Presidenti i AKR-së.
Një gjë tjetër që Pacolli nënvizoi në programin e AKR-së, është mbrojtja e mjedisit. “E shihni sot si shkatërrohet Kosova nga uzurpatorët ilegalë. Vetëm shikoni malet tona të atakuara nga gurëthyesit të cilët e kanë shkatërruar habitatin e kafshëve në Kosovë. Nuk guxon ambienti të shkatërrohet në këtë mënyrë, na kanë kapluar mbeturinat në çdo cep” është shprehur ai duke shtuar se shtyllë e qeverisjes së koalicionit AKR-LDK do të jetë mbrojtja dhe ruajtja e ambientit.
Në fund është bërë edhe prezantimi i kandidatëve për deputetë nga radhët e koalicionit, të cilët u thirrën një nga një në skenë. Të pranishëm nga AKR-ja ishin; Amir Ahmeti, Arta Haxhaj, Islam Pacolli, Ismet Hajdini, Korab Sejdiu, Labinote Demi Murtezi, Mirlindë Gashi, Mirlindë Sopi, Myzejene Selmani, Refiqe Ternava, Sami Boroci, Vesel Makolli, Neshat Asllani, Xhevdet Krasniqi, Satmifer Kryeziu.
Pas prezantimit të listës, fjalën e mori Presidenti Behgjet Pacolli, i cili tha se kjo është lista e deputetëve e cila është e përfaqësuar 45 përqind nga gratë dhe 65 përqind nga të rinjtë. “Janë këta njerëzit që kanë kryer akademi dhe fakultete nëpër universitetet më prestigjioze. Me kuadro të tilla, ne do ta ndërrojmë strukturën e Parlamentit të Kosovës”, ka thënë në fjalën e tij përmbyllëse Behgjet Pacolli.