Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në hapjen e punimeve të Konferencës së Pestë të Ambasadorëve, deklaroi se Kosova ka një trup diplomatik me të cilin duhet të mburret, raporton Ekonomia Online.
“Kam nderin sot që para jush të hapi Konferencën e Pestë të Ambasadorëve të Kosovës. Është kënaqësi e madhe të hap këtë konferencë që është konferenca e pestë me radhë duke falënderuar paraardhësit e mi që kontribuan në shtetndërtimin e Kosovës, në ndërtimin e një diplomacie me të cilën ne mburremi”.
“Kosova ka një trup diplomatik me të cilën duhet të mburremi, e këto hyn formimi akademik i pjesëmarrësve të saj dhe serioziteti e profesionalizmi që e dëshmoni me aktivitetin tuaj”.
Pacolli theksoi se po punohet në vazhdimësi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat më të njohura ndërkombëtare, raporton EO.
“Ne kemi sfida të mëdha, duke u koordinuar me miqtë tanë ne po punojmë në anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, Interpol, OKB dhe organizata të tjera”.
“Rëndësia e Kosovës, pesha e saj ndërkombëtare nuk është më si e vitit 1999 kur nisi procesi i pakthyeshëm i shtetit tonë. Kosova në vitin 1999 fitoi vëmendjen e botës për shkak të luftës dhe gjenocidit që është kryer në vendin tonë”.
“Në mënyrë të natyrshme, Kosova nuk mund të ketë të njëjtën vëmendje në botë sikur atëherë, ne nuk mund të jemi aq të interesum për botën si në 1999, andaj duhet të shndërrohemi në histori suksesi duke punuar edhe më shumë me vëllezërit tanë ndërkombëtarë”.
Pacolli ftoi ambasadorët të angazhohen e të punojmë edhe më shumë edhe për diplomacionë kulturore, raporton EO.
“Dua Lipa, Rita Ora, futbollistët tanë sigurisht kontribuojnë shumë për krijimin e një imazhi më të mirë të Kosovës dhe lehtësojnë realizimin e lëvizjës së lirë. Ne kemi bërë çfarë duhet si shtet që të ecet pozitivisht, por ende nevojitet shumë punë”.
“Vullneti juaj, talenti dhe dëshira juaj për të punuar për Kosovën nuk mungon. Nuk jemi të vetmuar këtu. E kemi ndihmën e miqve të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara, të BE-së, dhe miqve të tjerë në gjithë rruzullin tokësor. Ju ftoj të bashkëpunojmë edhe më tepër me Shqipërinë, sepse bashkëpunimi me Shqipërinë është shumë i nevojshëm”.
Sipas Pacollit, dëshira e të gjithëve është të kemi një diplomaci të fuqishme, të paanshme, e të krijohet një imazh më i mirë për Kosovën, raporton EO.
“Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së, Kosovës duhet t’i lihet rrugë e lirë në organizatat e tjera. Secili prej jush e di se Kosova nuk ka territor t’i falë askujt, se Kosova e ka shpallë Pavarësinë në 2008 dhe në çdo bisedim nuk duhet të harrohet një fakt: Kosova është shtet i pavarur. Ky është fakti i pikënisjes së çdo dialogu e çdo bisede”.