Pacolli: Në nëntor mund të anëtarësohemi në Interpol

Prishtinë | 14 Qer 2018 | 10:18 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se Kosova është rikonfirmuar në agjendë për tu anëtarësuar në Interpol.

Pacolli në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Kosova tani pret që në Asamblenë e Përgjithshme, që do të mbahet në nëntor të këtij viti në Emiratet e Bashkuara Arabe të bëhet anëtare e barabartë e Interpolit.

“Një lajm shumë i mirë për vendin tonë. Kosova rikonfirmohet edhe njëherë në agjendë për tu anëtarësuar në Interpol. Mbështetja u mor me shumicë votash, në Lyon të Francës në mbledhjen e Këshillit ekzekutiv të Interpolit. Kosova tani pret që në Asamblenë e Përgjithshme, të jetë anëtare e barabartë e Interpolit në nëntor të këtij viti në Emiratet e Bashkuara Arabe. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol nuk përbën kërcënim për askënd. Kosova në Interpol i kontribuon luftës globale kundër krimit të organizuar, ekstremizmit të dhunshëm dhe fenomeneve tjera kriminale”, shkruan Pacolli.

Kosova kishte aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në mekanizmin ndërkombëtar policor, Interpol.

Ajo ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të Interpolit, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin.

Përderisa Palestina dhe Ishujt Solomon ishin pranuar në këtë organizatë, Kosova kishte tërhequr kandidaturën e saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme