Akuza të forta për ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, përmban një letër që për autor e ka zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli dhe pretendimet e shprehura në të kanë sensibilizuar edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sebep për gjuhën akuzuese është bërë bllogeri kontrovers britanik Graham Philips.
Bllogeri britanik ishte në fillim të marsit në Kosovë. Gjatë vizitës kishte realizuar më shumë se dhjetë storie dhe i kishte postuar në YouTube, e në të cilat flet për shtetin e dështuar të “Kosovës e Metohisë”, për mizoritë e “organizatës kriminale dhe terroriste”, siç i referohet UÇK-së, dhe në to tallet me proamerikanizmin e kosovarëve, shkruan sot Koha Ditore.
Në një prej storieve, presidentit Bill Clinton i është referuar si kriminel, në të tjera ka kritikuar edhe Perëndimin, e në shumë sosh ka viktimizuar popullin serb, ndërsa ka folur në superlativ për Serbinë dhe Rusinë.
Pacolli i kishte kërkuar Mustafës që ta shpallte person të padëshirueshëm në Kosovë gazetarin Philips, por ministri nuk e kishte dëgjuar. Prandaj, më 19 mars kishte firmosur një shkresë me tone të forta akuzues.