Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, po merr pjesë në Konferencën e 38-të të ministrave të vendeve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Në ndërkohë, ne margjinat e kësaj konference janë parapare të zhvillohen edhe shumë takime bilaterale mes ministrave te jashtëm të hapësirës frankofone. Kosova u anëtarësua për herë të pare në Frankofoni si anëtare vëzhguese në vitin 2014, ndërsa në tetor te vitit të kaluar iu ngrit statusi në anëtar të asociuar.
Që nga anëtarësimi i Kosovës si anëtar vëzhgues në vitin 2014 në Samitin e Frankofonisë në Dakar, Kosova ka bërë përpjekje të shumta për promovimin e gjuhës frënge dhe Frankofonisë. Bashkëpunime të reja dhe të rëndësishme janë krijuar në nivel universitar, sidomos pas anëtarësimit të Universitetit të Prishtinës në Agjencinë Universitare Frankofone.
Më tej, Kuvendi i Kosovës i është bashkuar vitin e kaluar Asamblesë Parlamentare Frankofone, gjë që do kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet deputetëve kosovarë dhe deputetëve të vendeve tjera frankofone në çështje të interesit të përbashkët për rajonin tonë, siç janë zhvillimi dhe promovimi i vlerave të demokracisë, paqes dhe diversitetit kulturor e linguistik.