Kryediplomati i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, së bashku me një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme i kanë shprehur mirëseardhje ministrit të Jashtëm të Finlandës, Timo Soini, dhe delegacionit e tij, në prag të nisjes së vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Nevoja për vazhdimin e përkrahjes së Kosovës për anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare nga shteti finlandez; thellimi i bashkëpunimit në fushën e edukimit; si mbështetja për proceset euro-atlantike të Kosovës dhe liberalizimit të vizave kanë qenë disa nga temat e diskutuara, sipas një komunikate të MPJ-së.
Në vazhdim të takimit, të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar marrëdhëniet miqësore në mes dy vendeve dhe dy popujve, duke shprehur gatishmëri dhe vullnet të dyanshëm për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të tyre.
Në këtë drejtim, zëvendës-kryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i ka shprehur një falënderim të veçantë homologut të tij finlandez edhe për rolin dhe kontributin e shtetit finlandez para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe në veçanti për rolin historik të Presidentit, Martti Ahtisaari, në zgjidhjen përfundimtare të statusit ndërkombëtarë të Kosovës.
Gjatë vizitës në Kosovë, ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini, do t’i takojë presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.