Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka vënë në dyshim deklaratën publike të kryeministrit maroken, Saadeddine Othmani, për “imponim të prezencës së Pacollit gjatë një dreke”.
Sipas Pacollit, mediat po reflektojnë të pavërtetën lidhur me këtë takim. Ai ka thënë se “kanë pasur takim të akorduar me shkrim me kryeministrin e Marokut”.
“Gjatë një dreke me delegacionin tim, një zotëri nga Kosova e imponoi prezencën e tij. Ne nuk kemi diskutuar për marrëdhënie bilaterale, apo vënie të kontakteve. Pozicioni i Marokut është konstant. Maroku nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka asnjë raport me të”, kishte shkruar në Twitter kryeministri i këtij shteti.
Por tani Pacolli ka publikuar një fotografi të bisedës në “WhatsApp” me kryeministrin maroken, duke thënë se ishin marrë vesh për takim.
“Ne e pyesim, via sms, Kryeministrin;
‘A ka diçka të re? Një takim i shkurtë 5 min?’
Përgjigja e Kryeministrit:
‘Tani jam në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara, ulur përballë sallës së konferencave nr.4, nëse ke kohë mund të takohemi”, ka shkruar Pacolli në Facebook.