Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, ka përkujtuar masakrën e Reçakut në 22-vjetorin e saj.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pacolli tha se 45 viktimat e Masakrës së Reçakut janë e vërteta e shtetit serb që ende refuzon ta sheh vetën në pasqyrë.
Lexoni të plotë postimin e tij:
“Kanë kaluar plot 22 vjet prejse u ekzekutua një nga krimet më makabër në luftën e fundit në Kosovë.
45 viktimat e Masakrës së Reçakut janë e vërteta e shtetit serb që ende refuzon ta sheh vetën në pasqyrë.
Ka ndodhur krimi, dihet edhe autori, por ende nuk ka ardhur dënimi – ndaj drejtësia s’është vendosur.
Përkundrazi, ekzekutuesit tentojnë të fshihen prapa pëlhurës së të moderuarit dhe sot udhëheqin me shtetin serb.
Derisa ata refuzojnë të ballafaqohen me të vërtetën, na takon ne, siç na ka takuar gjithmonë, por tani më shumë se kurrë, të kërkojnë vendosjen e drejtësisë dhe dënimin e përgjegjësve të kësaj mizorie.
Sa vjen e rritet distanca kohore me 15 janarin e 1999-ës, rritet edhe obligimi ynë kombëtar të punojmë përtej të pamundurës që në përvjetorët e ardhshëm të mos kujtohet veç krimi, por dënimi i kriminelëve gjithashtu.
Lavdi të rënëve”.