Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që të pajisin me vendime individuale secilin mësimdhënës që angazhohet në mësimin plotësues, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari tha se kanë kërkuar edhe pagesë të orëve plotësuese nëse të njëjtat e kalojnë normën javore prej 20 orë mësimi.
Në të kundërtën ai tha se do t’u bëjë apel mësimdhënësve që të mos e fillojnë mësimin plotësues.
“SBAShK-u nuk e ka pritur fare vendimin e ministrisë së arsimit që në këtë vit shkollor të kemi ngarkesa shtesa e as mësim plotësues duke u nisur nga vet fakti e në komunikim edhe me drejtorët e drejtorive arsimore, për neve është gëzim i madh që ta mbajmë sistemin arsimor në institucione arsimore dhe me këto norma që i kemi dhe çdo angazhim shtesë krijon probleme shtesë dhe e cenon mirëvajtjen e procesit mësimor nëpër shkolla. SBAShK-u i është drejtuar sot drejtorive arsimore që ata ti autorizojnë drejtorët e shkollave që të lëshohen vendime për të gjithë kolegët tanë që do të angazhohen procesin mësimorë në mësimin plotësues, duke i procezuar sa orë do ti mbajnë, kush janë ata dhe ku do ti mbajnë dhe të u sigurohen edhe lokale sepse kemi shkolla që janë të stërngarkuara”, tha Jashari.
Jashari ka thënë se gjithë këtë situatë e ka rënduar edhe më shumë vendimi i MASHTI-t i datës 20.04. 2021 për organizimin e mësimit plotësues për nxënësit që kanë ngecje në arritjen ne rezultateve si pasojë e pandemisë Covid 19.
Ai tutje tha se SBAShK-u nuk mund të tregojë për shifra, por se është duke pritur nga DKA-të për lëshimin e vendimeve për mësimdhënësit.
“Shumë nga DKA-të janë të shqetësuara me vendimin e fundit të ministrisë së Arsimit, për mësimin plotësues. SBAShKU nuk mund të tregojë për shifra tani se ne jemi duke pritur që drejtoritë arsimore për ta hequr obligimin tyre dhe drejtorët e shkollave do të lëshojnë vendime në të cilat do të precizohet se sa do të jetë numri i orëve”.
E mësimi plotësues mund të ndikojë edhe në rritjen e rasteve me Covid-19, pasi që mësimdhënësit nuk janë vaksinuar tha Jasharaj.
“Ne me kohe kemi kërkuar që punëtorët e arsimit të jenë prioritet në vaksinim por kjo gjë nuk është arritur por e vërteta është se punëtorët e arsimit nuk janë vaksinuar por kjo është rrezik shtesë që të infektohen me covid”.
Mes tjerash ai tha se do ti drejtohen Gjykatës në rast se nuk plotësohet kërkesa e tyre.