Njoftimi i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Prizrenit mbi poenët e fituar nga secili aplikues për material ndërtimor për vitin 2018 është kontestuar nga aktivisti i shoqërisë civile, që merret me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve RAE.
DPMS-ja ka bërë të qartë se sipas numrit të poenëve përfitues të materialit për ndërtimin e shtëpisë janë 37 familje, derisa 10 të tjera do të përfitojnë kulme, shkruan sot Koha Ditore.
Numri prej 47 përfituesve është përzgjedhur nga 266 aplikime që janë bërë.
Por Osman Osmani nga OJQ “Nevo Koncepti” njëherësh anëtari i Komitetit për Komunitete, ka reaguar lidhur me këtë çështje duke vlerësuar se Komuna e Prizrenit ka injoruar komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë gjatë ndarjes së materialit ndërtimor.
Në anën tjetër kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se Komuna e Prizrenit ka publikuar listën e përfituesve për material ndërtimor, nëpërmjet një procesi krejtësisht transparent, “gjë që dëshmon fakti ku për herë të parë kanë aplikuar me një numër rekord të aplikimeve prej 266 familje, në nevojë për material ndërtimor, për 37 shtëpi dhe 10 kulme”.