Vendimi i Qeverisë për vendosjen e taksës 100% si masë mbrojtëse për prodhuesit vendorë dhe masë detyruese për respektimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, por jo të respektuara nga shteti Serb, po cilësohet si një vendim “shpëtimtarë” për prodhuesit vendës.
Madje ky vendim për kompaninë “Frutex”, ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese.
Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi tha për Ekonomia Online se tashmë pas vendimit të Qeverisë ka rënë edhe interesi për blerje të produkteve Serbe dhe padyshim se ato po gjejnë zëvendësim në shumë produkte vendore.
“Një vendim i tillë është pritur nga gjithë qytetarët e Kosovës por edhe nga si prodhues, dhe impaktet e para janë pasi që po dihet që ka rënë pothuajse në zero improti nga Serbia, ajo çka mundemi me vërejte në treg pasi që edhe përkundër që është ndërprerë importi, duket që ka rënë edhe interesimi i qytetarëve për të konsumuar produkte nga Serbia dhe këtë e kam vërejte në markete”.
“Kjo është forma më e mirë për aq kohë që Serbia sillet në mënyrë destruktive me Kosovën konsideroj që kjo është përgjigja më e mirë e Qeverisë së Kosovës për atë të Serbisë, madje kjo do i ndihmon në zhvillim më të shpejtë kompanive tona prodhuese duke e ditur që importi nga Serbia për shumë kompani tona ka shkaktuar një zhvillim të paqëndrueshëm”.
Për kompaninë “Frutex”, problem i madh po del të jetë vet shteti Serb, madje ky shtet kësaj kompanie shpesh i shkakton edhe probleme të patejkalueshme.
“Problem tjetër mbetet eksporti në Serbi, atje janë disa procedura të cilat janë të patejkalueshme pasi që ata na kërkojnë që 1 herë në 6 muaj produktet të dërgohen në analiza, kurse e gjithë sasia e cila është eksportuar vendoset në terminal doganor qëndron aty për pothuajse 10 ditë dhe kjo e rrit koston pasi paguhet çdo ditë qëndrimi në terminal doganor”.
E përkundër problemeve që kompania “Frutex” po përballet me shtetin serb, në një të tillë po hasë edhe me Shqipërinë.
Kjo kompani detyrohet çdo ditë të përgatisë dokumentacione të njëjta për eksport në shtetin e Shqipërisë, e kjo “Frtuexit” po i kushton shumë në buxhetin e tyre.
“Gjithmonë ekzistojnë barrierat e sidomos gjatë eksportit dhe si një nga barriera jo tarifore qëndron në vazhdimësi problemi me Shqipërinë pasi që edhe përkundër që ne jemi që 12 vjet në këtë treg vazhdojmë të përballemi me të njëjtat probleme, dhe gjithë këto probleme e rritin koston e produktit dhe kjo bën që ne të bëhemi më pak konkurrentë atje. Problemet jo tarifore me Shqipërinë janë numri i madh i dokumenteve të cilat kërkohen me rastin e eksportit dhe është jo logjikë që për një kompani si në të kërkohen të njëjtat dokumentacione çdo ditë”.