Pamje e re e “Soliterëve”, rinovimi përfundon në shtator

Prishtinë | 19 Kor 2022 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Me fasadë ventiluese të re, duke ruajtur gjendjen burimore të tyre, është pamja që do marrin “Soliterët” e Prishtinës.

Pas shumë vjetësh në një gjendje të mjerueshme, ka filluar rinovimi i 5 objekteve që karakterizojnë lagjen e “Ulpianës”.

Në kuadër të kësaj do të bëhet edhe vendosja e dritareve të reja që së bashku me fasadën e re, parashihen të ndihmojnë në ruajtjen e energjisë elektrike dhe asaj termike.

Projekti që pritet të përfundojë në shtator, kushton 2.8 milionë euro. 60 për qind e mjeteve janë financim nga fondi amerikan, 30 për qind financim nga Komuna e Prishtinës, ndërsa 10 për qind do t’i paguajë NPB, me kushtin që banorët t’ua kthejnë shumën prej 280 mijë eurosh në një periudhë prej 7 vjetësh.

Drilon Pireva, nga Departamenti i Mirëmbajtës, thotë se NPB-ja ka kontribuar në këtë projekt në aspektin e organizimit të banorëve.

“Iu kemi ofruar fondit të mileniumit, i kemi ofruar të përzgjedhin ‘Soliterëve’ dhe jo disa objekte të vogla. Kështu i kemi ofruar bashkëpunim në aspektin e organizimit të banorëve, në qoftë edhe në aspektin e procedurave dhe në fund është vendos që të shkohet me rinovimin e ‘Soliterëve’. Për shkak të ligjit për bashkëpronësi ato llogariten si hapësira private dhe secili kryetar ka pasur shumë problem me ligjin për të bërë investime në hapësira private. Është gjetur kjo metodë që të rinovohen ‘Soliterët’ dhe në këtë pjesë kemi insistuar ne më së shumti pasi e kemi ditur që është shumë vështirë të rinovohen nëse lëshohet kjo mundësi”.

Krahas kësaj, Pireva tregon se do të bëhet edhe rinovimi i hyrjeve.

“Në kuadër të projektit është edhe rinovimi i hyrjeve, pastrimi i bodrumeve, pastaj jemi në diskutime dhe për riparimin e liftit të dytë. Pra, si pako që të rinovohet në tërësi. Ideja është të përshihen krejt. Ne kemi edhe punën e nyjave të ujësjellësit, kanalizimit”, ka thënë Pireva.

Banorët e këtyre ndërtesave, por dhe qytetarët që e frekuentojnë fontanën në “Ulpianë”, iu gëzohen ndryshimit që po i bëhen “Soliterëve”.

Përveç rinovimit, Komuna e Prishtinës, para banorëve të “Ulpianës” ka prezantuar edhe një projekt për “Soliterët”, i cili ka qenë edhe premtim elektoral i kryetarit Përparim Rama.

Përmes këtij projekti parashihet të ndërlidhen “Soliterët” përmes objekteve që pritet të ndërtohen në një lartësi që nuk pengojnë gjelbërimin dhe qarkullimin. E në kuadër të kësaj parashihet edhe ndërtimi i një parkingu nëntokësor.

Por, kjo gjeti kundërshtime të banorëve.

Projekti i rinovimit të 5 ndërtesave pritet të përfundojë në shtator të këtij viti.

Të ngjashme