Papa Françesku ka arritur të dielën në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shënuar kështu vizitën e parë të një peshkopi në Gadishullin Arab, njëherësh vendlindjen e Islamit.
Ai ka arritur në Abu Dabi, në një vizitë 48 orëshe, në të cilën do të takohet me imamë si dhe do të mbajë një meshë të hapur me rreth 135,000 katolikë.
Ai është përshëndetur nga princi i kurorës së Abu Dabit, sheiku, Mohammed bin Zayed si dhe nga zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë.
Vizita e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe vjen në kohën kur ky shtet është i përfshirë në fushatën ushtarake në Jemen, si dhe është pjesë e një konflikti diplomatik me Katarin.
Para se të nisej në këtë vend, kreu i Selisë së Shenjtë u ka bërë thirrje palëve të përfshira në konfliktin në Jemen, që të respektojnë marrëveshjen për armëpushim.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përshëndetuar arritjen e Papës në Emirate, duke e konsideruar këtë vizitë si “moment historik për liritë fetare”.
“Mesha e parë e Shenjtë nga Papa në Gadishullin Arab promovon paqe dhe mirëkuptim në mes të dy besimeve të mëdha botërore”, ka thënë ai në një postim në Twitter.
Në Emirate jetojnë rreth 1 milion katolikë, shumica prej tyre migrantë nga Filipinet dhe India.