Papunësia në industrinë prodhuese në Eurozonë arrin në nivele rekord

Prishtinë | 13 Jan 2020 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Industria prodhuese e Evropës po e fillon këtë vit të ri me jo pak vështirësi dhe sfida në rritje. Niveli i punësimit në fabrikat prodhuese në shtetet e Evropës ka shënuar në dhjetorin e vitit të kaluar një rënie të ndjeshme.

Shifrat e fundit nga Komisioni Evropian erdhën pasi Gjermania raportoi një rënie të papritur të prodhimit, shenjë kjo se ekonomia më e madhe e Evropës është ende duke luftuar për të kapërcyer rënien e saj më të keqe industriale të dekadës së fundit.

Prodhimi, veçanërisht në Gjermani, është duke luftuar për të dalë nga një rënie që vazhdon prej më shumë se një viti, që kur pasiguritë filluan të rriten pas luftës tregtare SHBA-Kinë dhe procesit të tejzgjatur të BREXIT-it, për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Rreziku më i madh për ekonominë, siç parashikon edhe Bundesbank, është që dobësia industriale në ekonomi të vazhdojë edhe në vitin 2020.

Sipas KE-së, përcjell Telegrafi, indeksi i besimit për të ardhmen e ekonomisë në muajin dhjetor arriti në vlerën prej 101.5 pikë nga 101.2 pikë që rezultonte më herët, por kjo rritje u ndikua kryesisht nga sektori i shërbimeve, ku firmat u panë më optimiste për perspektivën e afërt, megjithëse nga ana tjetër niveli prodhues u reduktua.

Më herët, të dhënat gjermane treguan se kërkesa konsumatore ra me 1.3 për qind në muajin nëntor, rënia më e madhe që nga muaji korrik. Rënia është nxitur kryesisht nga kërkesa më e ulët e huaj për mallra për investime, duke bërë që pesha kryesore të mbahet tanimë nga produktet e konsumit.

Një raport tjetër tregoi se prodhimi gjerman i makinave, cilësuar si themeli i ekonomisë vendase dhe gjithë Eurozonës, ishte veçanërisht i ulët vitin e kaluar, për shkak të nivelit shumë të ulët të eksporteve, që ka goditur kërkesën për automjete. Sipas autoritetit përgjegjës për industrinë e makinave VDA, prodhimi i tyre shënoi në muajin dhjetor nivelin më të ulët në gati një çerek shekulli. Referuar kësaj situate Bundesbank thotë se ekonomia e Gjermanisë ka ngecur në vendnumëro dhe rritja është parashikuar të mbetet më pak se 1 për qind këtë vit. 



Fjalë Kryesore:

Të ngjashme