Takimi i fundit në Bruksel në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja kishte ndodhur me datën 18 korrik. Pas këtij takimi, dy presidentët kishin lënë përshtypjen se nuk e shohin njësoj zgjidhjen.
Përderisa presidenti Thaçi pati thënë se “vetëm njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nënkupton zgjidhjen finale”, presidenti i Serbisë, Vuçiq, pati pohuar se “njohja e Kosovës nuk do të ishte kompromis, sepse gjërat nuk shkojnë kështu, por duhet gjetur një zgjidhje sipas së cilës të dyja palët në mënyrë të njëjtë humbin diçka”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Prej atëherë ata nuk janë takuar në Bruksel, por nëpër adresa të tjera kanë dalë idetë për zgjidhjen finale, madje edhe spekulues se të dy presidentët “tashmë janë marrë vesh” dhe se “kjo marrëveshje përfshin shkëmbimin e territoreve”.
Përderisa nuk ka pasur takime në Bruksel, edhe Thaçi edhe Vuçiq po punojnë për arritjen e një mbështetjeje ndërkombëtare dhe vendore për idetë e tilla.