Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit T.S shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri dyshohet se gjatë muajit shtator të vitit 2017 dhe gjatë vitit 2018 në Shtim në cilësinë e personit zyrtar si inspektor ndërtimi në Komunën e Shtimes me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme pasurore për vete, ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke shkelur seriozisht të drejtat e personit tjetër, tani të dëmtuarit H.Sh, në atë mënyrë që nga i dëmtuari fillimisht merr shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë, si dhe shumën prej 580 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së dytë, me qëllim që ta pajisë me leje ndërtimi duke i shkaktuar dëmë në vlerë prej 1.080 euro dhe të njëjtin nuk e ka pajisur me leje ndërtimi, por e ka lejuar që ti ndërtonte dy shtëpi pa leje.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.