Policia e Kosovës ka intensifikuar përpjekjet për të parandaluar garat ilegale të shpejtësisë në autostrada, duke ndërmarrë masa konkrete gjatë javës së fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësia për Kontroll të Autostradave, në kuadër të planit “Parandalimi i garave ilegale të shpejtësisë në autostradë”, ka arritur të ndalojë tri raste të organizimit të këtyre garave. Si rezultat, janë shqiptuar gjithsej pesë gjoba: dy për pjesëmarrje në gara ilegale, një për mosrespektim të masës mbrojtëse, një për tejkalim të shpejtësisë dhe një tjetër për drejtim të automjetit pa poseduar të drejtën përkatëse.
Po ashtu, gjatë fundjavës, policia ka sekuestruar përkohësisht katër automjete të dyshuara për modifikime në sistemin e tërheqjes. Këto mjete pritet t’i nënshtrohen një kontrolli teknik të jashtëzakonshëm.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në trafik, duke bashkëpunuar me autoritetet në identifikimin dhe parandalimin e garave ilegale. Ata kanë apeluar për raportim të menjëhershëm të çdo informacioni që lidhet me organizimin e këtyre aktiviteteve të rrezikshme, në mënyrë që të ndërmerren masa ligjore ndaj personave të përfshirë.