I pari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ka prezantuar në selinë e Degës së PDK-së në Prizren, kandidatin për kryetar të PDK-së për këtë qytet.
Veseli qytetin e Prizrenit edhe njëherë e cilësoi të veçantë për PDK-në.
“Dëshiroj ta theksoj faktin se për PDK-në Prizreni ka qenë dhe është kryeqendra politike dhe historike jo vetëm e shqiptarëve anë e kënd botës. Në të njëjtën kohë Prizreni do të jetë epiqendra ku do të ketë zhvillim të hovshëm ekonomik” tha Veseli në fillim të fjalës së tij.
Për PDK-në shtoi ai qyteti i Prizrenit ka qenë dhe është një përkushtim shumë i rëndësishëm.
Duke e falënderuar Ramadan Mujën për qeverisjen në tri mandate ndërsa strukturat për vullnetin që të gjendet një kandidat i fortë dhe premtues, lideri i PDK-së, kandidatin për kryetar e quajti, qytetar të ndershëm profesionist dhe njeri të jashtëzakonshëm
“Me vullnetin e qytetarëve të Prizrenit Shaqir Totaj do të jetë kryetar i ardhshëm i Prizrenit. “Me modestinë që e karakterizon këtë qytet dhe me përkushtimin e përbashkët jam i bindur se do të arrijmë fitore me 22 tetor. Fitore që do të jetë fitore e qytetarëve të Prizrenit, fitore për ta shndërruar këtë perlë në vend me të cilin do të jemi krenar” u shpreh Veseli.
Sipas të parit të PDK-së Prizreni, me Shaqir Totën kryetar, do të jetë qendra kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës, ndërsa premtoi se shumë shpejt në Prizren do të bartet Ministria e Kulturës.
“Gradualisht do të fillojmë bartjen e institucioneve të Kosovës në Prizren. Ditët na ndajnë kur selia e Ministrisë së Kulturës do të jetë në Prizren” tha Veseli.
Shaqir Tota, në fjalën e tij falënderoi strukturën, lidershipin dhe në veçanti kryetarin e PDK-së që morën guximin dhe vizionin që kandidatë ta zgjedhin një person që ka qenë jashtë politikës.
”Besoj me një përkrahje të gjerë, Së bashku do të ia dalim. Jam optimist. Jam i vetëëdijshëm që do të jetë një sfidë por edhe një mundësi për hapje të pesrpektivave të reja” tha Totaj.
Ai duke e cituar Çerçilin tha se pushteti më shumë duhet të kuptohet si përgjegjësi e shumë më pak si privilegj.
“Pushteti është shumë më tepër përgjegjësi dhe llogaridhënie e shumë më pak privilegj. Në frymën e kësaj thënie ne do të qeverisim me një kornizë ligjore që domosdoshmërish do të respektohet. Vazhdojmë me fitore të reja. Na pret një pune e madhe”, u shpreh ai.