Partia e qendrës e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, fitoi shumicën në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Rezultatet e pjesshme pas rrethit të dytë të zgjedhjeve tregojnë se Partia Republika Përpara dhe aleatët e saj do të fitojnë 355 deri në 425 ulëse të Asamblesë Kombëtare prej 577 vendesh.
Rezultatet, nëse konfirmohen, do t’i japin presidentit Macron, 39 vjeç, mandat të fortë për t’i çuar përpara planet për reforma.
Ato po ashtu do të ndryshojnë në mënyrë dramatike hartën politike, e cila është dominuar tradicionalisht nga Republikanët konservatorë dhe Partia Socialiste.
Pritet që Republikanët dhe aleatët e tyre të formojnë bllokun më të madh opozitar me 107 deri në 133 ulëse në Parlament, ndërsa Partia Socialiste, e cila ka qenë në pushtet gjatë pesë vjetëve të kaluar, dhe partnerët e saj të sigurojnë 30 deri në 49 ulëse.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 44 përqind.
Kryeministri i Francës, Edouard Philippe, tha se votuesit francezë i kanë dhënë “shumicën e qartë presidentit të republikës dhe qeverisë”.
Ai e pranoi se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e ulët, duke thënë se “abstenimi nuk është kurrë lajm i mirë për demokracinë”.
Liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka fituar ulëse në Parlament për herë të parë dhe rezultatet e pjesshme tregojnë se partia e saj Fronti Kombëtar do të fitojë katër deri në tetë ulëse.
Ndër synimet e shprehura të Macronit janë zbutja e rregullave strikte të punës në Francë dhe reduktimi i dhjetëra-mijëra vendeve të punës në sektorin publik.