Heshtja graduale e zërit të subjekteve politike opozitare, të cilat para një viti patën filluar që krahas organizimit të protestave për kundërshtimin e dy marrëveshjeve, asaj për Asociacionin dhe Demarkacionin, kërkonin zgjedhje të jashtëzakonshme, nga pozita dhe analistët politikë po shihet si një argument që flet qartë se në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, por ato do të mbahen sipas ciklit të paraparë.
Ky ndryshim në qëndrimet e padeklaruara politike tani vjen si pasojë e përqendrimit të të gjithë spektrit politik në pritje të Gjykatës Speciale dhe askush nga partitë nuk e ka interesin të shkojë në zgjedhje të reja pa u pastruar skena politike, kur edhe pritet një furtunë arrestimesh nga kjo Gjykatë.
E, ndërkohë mund të bëhet edhe Reforma zgjedhore. Kjo pritje shihet si opsioni më real, pasi tani kjo formë po u leverdis edhe ndërkombëtarëve, të cilët llogarisin në pastrimin e skenës politike me veprimin e Gjykatës, por edhe Prokurorisë vendore Speciale, që mund të dërgojë shumë “peshq të mëdhenj” në burg, prandaj në zgjedhje të reja do të kishte edhe ndryshime të mëdha përfaqësimi.
Deputeti Adem Salihaj, nga LDK-ja, një skenar të tillë e sheh si më të përshtatshmin, dhe më realin të mundshëm, që skena politike e Kosovës të pastrohet nga strukturat kriminale, kurse institucionet e reja të ndërtohen nga njerëz me duar të pastra.
“Është indikative që as opozita tash nuk është insistuese për zgjedhje të jashtëzakonshme. Mendoj se vërtetë mund të jetë arsye pritja që Gjykata Speciale do ta bëjë një spastrim të Kosovës nga elementët e shumtë kriminalë,të cilët asnjëherë nuk kanë lejuar që të mbahen zgjedhjet të mirëfillta dhe demokratike. Një spastrim eventual, që do ta bënte Gjykata Speciale,do të krijonte një ambient më të përshtatshëm dhe një mundësi që qytetarët të mund të vendosin pa shantazhe e presione, pa mashtrime dhe pa manipulime e vjedhje votash, siç ka ndodhur gjithnjë, në të gjitha zgjedhjet tona”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.
Një pritje e tillë vlerësohet pozitivisht edhe nga analistët politikë dhe njohësit sfidave nëpër të cilat kanë kaluar deri më tash proceset zgjedhore në shtetin e Kosovës.
Analisti politik, Fadil Lepaja tha për “Kosova Sot” se është shumë e pritshme që në zgjedhjet e radhës të kemi lista shumë më kredibile zgjedhore, nëse vërtet subjektet politike presin një proces të tillë dhe vendosin që përfundimisht të pastrojnë radhët e veta nga figura që janë ndesh me ligjin.
“Ky mbase do të ishte edhe versioni i dëshiruar nga qytetarët e Kosovës, me shpresën se njerëzit e dyshuar për krime të mos kenë as gjasa të kandidohen për poste me përgjegjësi në këtë vend. Se çfarë do të arrijë të bëjë Gjykata Speciale mbetet të shohim, por sido që të jetë, një fushatë zgjedhore e parakohshme do të pengonte në konsolidimin e saj si dhe opinionin tashmë të pajtuar me faktin se kjo Gjykatë mundet të jetë përpos antikrim edhe mënyrë për të hequr prej politikës një numër të madh të figurave autoritare të kësaj skene”, tha Lepaja për “Kosova Sot”.
Edhe Ilir Fetahu, ish- anëtar i KQZ-së, thotë se Kosova po hyn në një situatë serioze, prandaj nuk është në interes të vendit që tani të shpiket kriza dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kosova duhet të mendojë për zgjedhje të rregullta dhe kredibile, kurse pa paragjykuar në rolin e Gjykatës Special duhet të vetëdijesohet vetë spektri politik që në këto zgjedhje të përfshijë në lista zgjedhore vetëm ata kandidatë që kthejnë besimin e qytetarit edhe në politikë edhe në institucione, sepse përfshirja e deritanishme në listat zgjedhore e njerëzve që ishin në konflikt me ligjin ka krijuar në masë të madhe edhe një mosbesim të qytetarit në politikë, por edhe në institucionet ku të tillët kanë zënë vend si të emëruar nga politika”, tha Fetahu për “Kosova Sot”.
Se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë më prioritet i asnjë subjekti politik, edhe për shkak të mosmbështetjes ndërkombëtare, e sheh këtë situatë edhe analisti politik Arsim Haziri. “Sot, e tërë skena politikë, sikur po shihet ashiqare, gjendet në ankth të rëndë në kuptimin se kush do të jetë objekt trajtimi i Gjykatës Special, kush nga kokat politike e kush nga niveli i dytë.