Pas protestës së fermerëve, Ministria e Bujqësisë sqaron thirrjen për aplikim për subvencionim

Prishtinë | 23 Sht 2021 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njofton se gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve për vitin 2021 i ka përfshirë në grupet punuese edhe përfaqësuesit e fermerëve të nënsektorit të grurit dhe nënsektorëve të tjerë.

Ky reagim i MBPZHR-së vjen pas protestës së bujqve para kësaj ministrie, lidhur me kriteret e thirrjes për aplikim.

“Duke pasur parasysh që kërkesat e fermerëve dhe përfaqësuesve të tyre adresohen çdo vit gjatë procedurave të hartimit të programeve mbështetëse, MBPZHR-ja bën shqyrtimin dhe më pastaj edhe inkorporimin e tyre në programet dhe politikat e saj, konform ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. MBPZHR-ja gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve për vitin 2021, i ka përfshirë në grupet punuese edhe përfaqësuesit e fermerëve të nënsektorit të grurit dhe nënsektorëve të tjerë”, thuhet në reagimin e MBPZHR-së, përcjell Telegrafi.

Sipas tyre, gjatë këtij viti janë adresuar vërejtjet dhe mangësitë e gjetura në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit që lidhen me subvencionim.

“Gjatë këtij viti, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në programet dhe politikat bujqësore i ka adresuar vërejtjet dhe mangësitë e gjetura në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe po ashtu gjatë hartimit të tyre janë marrë parasysh edhe rrethanat e krijuara nga zhvillimet që kanë ndodhur në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, mangësi këto që janë shfaqur edhe gjatë viteve të kaluara”, vijon reagimi.

Në fund, MBPZHR thotë se kriteret në kuadër të këtij programi janë bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi.

“Duhet theksuar se MBPZHR-ja, Programin e Pagesave Direkte – Subvencioneve për vitin 2021 e ka hartuar bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte për vitin 2021, i cili paraprakisht i ka kaluar të gjitha proceset konsultative institucionale dhe me publikun. Pra, kriteret dhe të gjitha procedurat tjera në kuadër të këtij programi janë bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi”, përfundon MBPZHR. /Telegrafi/


Të ngjashme