Dy partitë që ishin themeltare të qeverisë së kaluar, PDK-ja e AAK-ja, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja me numrin e votave që kanë marrë del se do të jenë pjesë e opozitës në Kuvendin e Kosovës.
PDK-ja me 25 deputetë e AAK-ja me 14 deputetë, pavarësisht rënies nga pushteti, zotohen se do ta bëjnë një opozitë të fuqishme e konstruktive.
Partia Demokratike e Kosovës në krye me Kadri Veselin dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn nga partneriteti në qeverisjen e kaluar me koalicionin PAN tash ndarazi do të jenë pjesë e opozitës në Parlamentin e Republikës së Kosovës në legjislaturën e shtatë, shkruan “Zëri”.
Në bazë të rezultateve zyrtare të KQZ-së, PDK-ja u radhit si partia e tretë më e votuar, pas Lëvizjes Vetëvendosje e LDK-së, me gjithsej 178 mijë e 645 vota ose 21,163%.
Ndërsa AAK-ja pas PDK-së doli si partia e katërt më e votuar me 96 mijë e 883 vota ose 11,47%. Mirëpo, pavarësisht rënies nga pushteti përfaqësues të këtyre dy partive janë zotuar se do ta bëjnë një opozitë të fuqishme e konstruktive në Kuvendin e Kosovës.